Ekonomia

AKEP refuzon ankimin e One Albania, lë në fuqi gjobën prej 10 milionë lekësh

Masa administrative u vendos me propozimin e grupit të inspektimit, për shkak të shkeljeve dhe parregullsive të gjetura në dy inspektime të kryera gjatë vitit 2023. Arsyeja kryesore ishte mosrespektimi i afateve ligjore të njoftimit përpara ndërprerjes së shërbimit për abonentët me kontratë, sipas parashikimeve të nenit 109 të ligjit “Për komunikimet elektronike”.

Ligji përcakton se operatori i komunikimeve elektronike mund të ndëshkohet me gjobë nga 10 milionë lekë deri në 50 milionë lekë, nëse kufizon akesin në shërbimet e tij, ndërpret ose përfundon kontratën e pajtimtarëve në kundërshtim me përcaktimin e kontratës.

Në ankimin e vet, kompania One Albania kishte kërkuar ndryshimin e masës nga gjobë në paralajmërim, duke shtruar një sërë argumentash.

Sipas One Albania, në rrethanat e një inspektimi rastësor veprimet dhe përfundimet e vendimit janë në tejkalim të parimit të proporcionalitetit të përcaktuar në ligj dhe në rregulloren për inspektimin, sipas së cilit veprimet dhe kërkesat e grupit të inspektimit kufizohen nga qëllimi i inspektimit dhe për aq sa është e domosdoshme për arritjen e qëllimit të inspektimit.

One Albania shprehet se nga AKEP nuk është kërkuar informacion dhe nuk është adresuar më herët si çështje shqetësuese zbatimi i procedurave për ekzekutimin e të drejtës legjitime për pezullimin e shërbimeve për mosshlyerje të detyrimeve kontraktuale nga ana e pajtimtarëve.

Gjithashtu, One Albania shpjegon se nuk ka pasur ankesa të pajtimtarëve për moszbatimin e afatit 15-ditor të njoftimit paraprak për kufizimin e shërbimeve, që këto raste të kenë qenë shkak për të ndërmarrë një inspektim.

One Albania pretendon se i është mohuar e drejta e njohur nga rregullorja që tematikat nga administrimi i ankesave të paraqitura nga pajtimtarët do të ishin subjekt i inspektimit në distancë dhe jo atij rastësor dhe grupi i inspektimit do mund të kishte dhënë rekomandimet për rregullimin e shkeljeve, nëse do të konstatonte të tilla.

Sipas kompanisë, vetëm nëse One Albania nuk do t’i përmbushte këto rekomandime atëherë, AKEP do të kishte shkak për ndërmarrjen e inspektimit rastësor.

One Albania shprehet se veprimet e ndërmarra nga shoqëria për kufizimin e shërbimeve për pajtimtarët që nuk kanë shlyer detyrimet kontraktuale nuk janë veprime të kundërligjshme në vetvete, por përbëjnë aspekte proceduriale të aplikimit të së drejtës legjitime të sipërmarrësit për pezullimin e shërbimit për mosshlyerje të detyrimeve nga ana e pajtimtarëve.

Sipas kompanisë, nga 10 rastet e sjella për verifikim, janë evidentuar pezullimi i shërbimit për 8 pajtimtarë, nga të cilët 4 kanë patur detyrime të akumuluara dhe pavarësisht se “One Albania” sh.a ka patur të drejtë të kufizojë shërbimin më herët, nuk e ka ekzekutuar këtë të drejtë ligjore dhe kontraktuale, në dëm të interesave financiarë të kompanisë.

Këshilli Drejtues i AKEP megjithatë ka vlerësuar se ankimi administraitv i One Albania nuk ka sjellë prova shtesë që do të motivonin ndryshimin e masës së vendosur në fund të muajit tetor. AKEP shprehet se sipas ligjit, thelbi i procesit dhe përfundimet e inspektimit nuk janë të lidhura me llojin e tij (rastësor apo në distancë). Sipas AKEP, objekt i inspektimit në thelb janë ankesat e pajtimtarëve dhe në kuadër të këtyre ankesave është shtrirë dhe veprimtaria inspektuese e njoftuar paraprakisht.

Këshilli Drejtues i AKEP e konsideron të drejtë dhë të mbështetur aplikimin e dënimit me gjobë, edhe me qëllim që ai të ketë efekt parandalues lidhur me moszbatimin e afatit ligjor të ndërprerjes së shërbimit në të ardhmen.

Në përfundim, Këshilli Drejtues i AKEP ka lënë në fuqi gjobën prej 10 milionë lekësh, ndërkohë që One Albania ka të drejtë të paraqesë ankim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button