Banka Kombëtare e Serbisë: kursi i dinarit është i qëndrueshëm, sistemi financiar nuk është i rrezikuar
Guvernatorja e Bankës Kombëtare të Serbisë (NBS), Jorgovanka Tabakoviç, njoftoi sot se sistemi financiar në Serbi nuk është i rrezikuar dhe se kursi i dinarit, pavarësisht një rënieje të lehtë ndaj euros, mbetet i qëndrueshëm, siç njofton portali Izlaz, i cili përcjell komunikatën e bankës qendrore.
Sipas komunikatës, Banka Kombëtare po bën të gjitha përpjekjet që sistemi financiar vendor të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe efikase, veçanërisht në ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar, në funksionimin e besueshëm të sistemeve të pagesave dhe në mbrojtjen e përdoruesve të shërbimeve financiare. Në këtë proces, banka qendrore bashkëpunon me sektorin bankar, pas problemeve që dolën në pah ditët dhe javët e fundit me heqjen e licencës së Alta Bankës.
Komunikata thekson veçanërisht mbikëqyrjen e përditshme të veprimtarisë së Bankës Poštanska štedionica, e cila, sipas NBS-së, i përmbush rregullisht detyrimet ndaj klientëve. “Po kujdesemi që të gjitha masat e mbështetjes së likuiditetit t’u qëndrojnë në dispozicion bankave, në mënyrë që të mbështetet funksionimi normal i sistemit financiar. Duke iu përgjigjur kërkesës së rritur për deviza, kryesisht nga qytetarët, dhe duke përdorur rezervat valutore, të cilat janë të larta sipas të gjitha kritereve, po e ruajmë stabilitetin e kursit të këmbimit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka theksuar guvernatorja Tabakoviç.
Sipas guvernatores, sistemet e pagesave funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa bankat dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve të pagesave u ofrojnë shërbime pa pengesa qytetarëve dhe ekonomisë. Në dhjetë ditët e fundit, numri mesatar ditor i transaksioneve të kryera përmes sistemeve të pagesave RTGS, Kliring dhe IPS të Bankës Kombëtare të Serbisë ka qenë 1.100.000 pagesa, që përkon me mesataren ditore të nëntë muajve të parë të këtij viti.
Tabakoviç përfundoi se është shumë e rëndësishme që të gjithë të veprojnë me të njëjtin qëllim — ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe në interes të qytetarëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.