BE shtyn me një vit rregullat e metanit për shkak të tronditjes së tregjeve të energjisë nga lufta me Iranin
Vendet e Bashkimit Evropian ranë dakord të premten të shtyjnë me një vit rregullat që u kërkojnë importuesve të naftës, gazit dhe qymyrit të raportojnë emetimet e metanit, për shkak të tronditjes së tregjeve të energjisë të lidhur me luftën e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit, njoftoi Këshilli i BE-së në një deklaratë, siç njofton Reuters.
Pozicioni i miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian, që mbledh përfaqësuesit e qeverive të vendeve anëtare, është në përputhje me propozimin e Komisionit Evropian, të bërë publik në tetor, për ta shtyrë rregulloren deri më 1 janar 2028. Vendet anëtare përfshinë edhe një mekanizëm rishikimi që lejon dy shtyrje të tjera njëvjeçare, nëse Komisioni nuk arrin të tregojë se zbatimi është gati.
“Ka presione të konsiderueshme në tregjet globale të energjisë, të cilat po i rrisin çmimet e energjisë në të gjithë BE-në”, tha në deklaratë ministri irlandez i Energjisë, Darragh O’Brien, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së. Sipas tij, marrëveshja e Këshillit propozon “një qasje pragmatike përpara”, duke ruajtur njëkohësisht lidershipin global të BE-së në uljen e emetimeve të metanit.
Këshilli dhe Parlamenti Evropian, i cili kishte votuar për një shtyrje trevjeçare, do të nisin tani negociatat e njohura si triloge për të arritur një kompromis përfundimtar ligjor. Komisioni do të duhet të vlerësojë deri më 30 shtator 2027 nëse janë plotësuar elementet e nevojshme për detyrimet e raportimit; në të kundërt, rregullat mund të shtyhen edhe një vit, e potencialisht edhe një të tretë, nëse as vlerësimi i dytë, deri më 30 qershor 2028, nuk del pozitiv.
Shtetet e Bashkuara kanë lobuar për ndryshime dhe shtyrje të ligjit evropian të metanit, por, sipas Reuters, ishte presioni i Francës që e shtyu Komisionin ta propozonte shtyrjen: Komisioni tha se zbatimi i rregullave në këtë moment mund ta vështirësonte sigurimin e naftës dhe gazit të mjaftueshëm për vendet e BE-së, për shkak të tronditjes së shkaktuar nga lufta me Iranin. Kur të hyjnë në fuqi, rregullat do t’u kërkojnë furnizuesve të huaj të naftës dhe gazit drejt BE-së të monitorojnë dhe raportojnë emetimet e metanit, gazit të dytë më të madh shkaktar të ngrohjes globale pas dioksidit të karbonit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.