Basha pranon ftesën e Ramës: Ulemi pa kushte
Përgjigjia e Lulzim Bashës për ftesën e Edi Ramës ishte pozitive, pozitive me kushtin që të jetë pa kushte, ashtu siç edhe Kryeministri e kërkoi. Në intervistë dhënë për Top Story, kryetari i Partisë Demokratikeripërsërit qëndrimin e opozitës se prioritet për të janë zgjedhjet dhe reforma zgjedhore.
Intervista
Lulzim Basha: Nuk janë kushte, janë propozime. Nëse maxhoranca ka vullnet që të bëjë atë që i kërkon Venecia, atë që i kërkon faktori ndërkombëtar, dialog mes palëve për të zgjidhur këto çështje të fundit që kanë mbetur pa zgjidhur, atëherë janë të mirësepritur në një dialog politik të një format, që ta zgjedhin vetë. Çdo format që kundërshtari të ndjehet komod, me kusht që dialogu të jetë pa kushte.
Atë thoshte edhe Edi Rama, që po të ulemi, kur të ulemi, nëse do të ulemi, duhet të ulemi pa kushte. Por kushti është drafti juaj. Ka një draft zyrtar që e mbështesin plotësisht ndërkombëtarët dhe kanë marrë edhe autorësinë...
Lulzim Basha: Propozime, jo kushte! Dëshirojnë të dialogojnë?! Që nesër, që sot, formatin le ta zgjedhin vetë.
Si dot ë zgjidhet më konkrete? Keni një interlokutor që ju të uleni së bashku?
Lulzim Basha: Edhe sot kam bërë përpjekje me faktorin ndërkombëtarë, edhe në këto momente, faktori ndërkombëtarë po bën përpjekje për dialog mes palëve për pjesën ku Venecia thotë për dialog politik dhe vendimarrjen politike, uroj dhe shpresoj që të ketë sukses. Shpreh bindjen dhe gatishmërinë time dhe të PD për dialog, formatin le ta zgjedhë kundërshtari. Ne kemi një format, që është Komisioni. Ka edhe formate të tjera. Çfarëdo formati që të zgjedhë kundërshtari politik, të çfarëdo niveli, Partia Demokratike dhe Lulzim Basha janë gati t’i përgjigjen.
Edi Rama ka deklaruar dje që është gati të ulet me ju?
Lulzim Basha: Kjo ulet nuk ulet, po bëhet obsesion. Substanca ka rëndësi. Për çfarë do të ulemi ne? Për substancën. E vetmja gjë që kërkojmë nga ky dialog është që të jetë produktiv dhe të mos jetë farsë sa për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Të jetë një dialog nga i cili dalim me rakordimin politik që kërkon Venecia dhe me vendimarrjen dhe ç’është më e rëndësishmja dhe më urgjentja për të dhënë sinjalin e parë që zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira dhe të ndershme dhe për këtë kemi kërkuar votimin elektronik dhe biometrik.
U habita shumë kur përdorët termin hipokrizi për ambasadorët, për përfaqësues të BE që ju kanë përmendur gjithmonë kohën për reformën në drejtësi. Ju keni qenë ministër i Jashtëm, keni anëtarësuar vendin në NATO, keni qenë aktiv, protagonist në procesin e integrimit, a është e lejueshme kjo gjë për ju?
Lulzim Basha: Nuk duhet të keqinterpretosh atë që kam thënë. Kam thënë që është hipokrizi t’u thuash shqiptarëve që do të futen në BE, apo do të nisin bisedimet me BE, para se të garantohen zbatimi i ligjeve të vendit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, para se të zbatohet ligji i dekriminalizimit, para se të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jo vetëm të miratohet, por të nisë zbatimi i reformës në drejtësi. T’u thuash shqiptarëve që miratimi i një pakete ligjesh do të hapë bisedimet me BE, këtë unë e quaj hipokrizi.
Miratimin dhe zbatimin thonë ata, jo vetëm miratimin, pra nisjen e reformës në drejtësi. Kaq thonë ata.
Lulzim Basha: Ata e kanë thënë në rezolutë, rezolutën e PE; zgjedhjet e ardhshme janë një test për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
A duhet ta kishit thënë këtë që në fillim, mos ishim përgatitur që ne do të pranojmë çdo variant që do të propozojë Venecia. Keni pranuar variantin e Venecias, keni bërë një draft të ri dhe tani keni shtuar një kusht të ri, që janë zgjedhjet?
Lulzim Basha: Nuk është e vërtetë. E para ne kemi kontribuar me propozimet tona që të sjellim reformën në standard. Reforma nuk nisi me standard. Pd ka ndihmuar në sjelljen e reformës në standard. Kanë mbetur çështje që Venecia i konsideron të vendimarrjes politike. Ka një qëndrim politik. Venecia ka thënë që për arkitekturën dhe vendimarrjen, kjo është çështje që duhet ta zgjidhni ju. Ekspertë ndërkombëtarë kanë thënë që këto komponentë duhet t’i vendosin palët politike. Në vend që të uleshin dhe të propozonin, kanë bërë syrin qorr, kanë bërë murin përballë propozimeve tona.
Ju thoni që cilësia është më e rëndësishme sesa koha dhe kohë për të hapur negociatat nuk ka më, do të përmbyllet gjithçka brenda qershorit?
Lulzim Basha: Nuk kanë për t’u hapur negociatat e Shqipërisë me BE pa u garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa u bindur BE që Shqipëria jo vetëm miraton, por edhe zbaton ligjin dhe pa luftuar krimin dhe korrupsionin. Çdokush që pretendon të kundërtën, po u jep shqiptarëve karamele të skaduara. Cila mendje tinzare mund t’u thotë shqiptarëve që zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk janë prioriteti numër 1? Nuk ka shqiptarë që të mos jetë dakort me atë që po u parashtojmë kundërshtarëve politikë, që të nisim me votimin elektronik për të nxjerrë pa punë një tufë horrash që merren në punë për të vrarë votën dhe zgjedhjet e shqiptarëve. Kjo është një kërkesë nga e cila as PD dhe as unë nuk mund të lëvizim.
Ju ka shkuar ndonjëherë në mend të mos hyni në zgjedhje nëse nuk plotësohen këto kërkesa që ju keni?
Lulzim Basha: Më ka shkuar në mend dhe po më shkon në mend që të mobilizoj të gjithë shqiptarët dhe t’u ofrojmë zgjidhje përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë imperativi numër 1 i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe këtu është përqendruar e gjithë forca dhe energjia e Partisë Demokratike dhe e imja personalisht.