Vendimi i Apelit për bojkotin, avokatët presin Dhomën e Avokatisë, shtyhet seanca ndaj Beqajt
Pavarësisht vendimit të dhënë nga Gjykata Administrative e Apelit një ditë më parë, e cila rrëzoi përkohësisht vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkotin e seancave në shkallën e parë në gjykatën e posaçme, avokatët sërish nuk u paraqitën në GJKKO, pasi presin vendimin e Dhomës.
Kjo ndodhi dhe në seancën në ngarkim të Ilir Beqajt për dosjen e Sterilizimit.
Vetë Ilir Beqaj ishte i pranishëm në seancë, ku tha se ka komunikuar me avokatët dhe ata i kanë thënë që presin vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, pasi do të mblidhen për vendimin e dhënë nga Gjykata Administrative e Apelit.
Gjykata e quajti të paligjshëm mungesën e avokatëve megjithatë e shtyu seancën në ngarkim të Beqajt për më 10 nëntor në orën 11:30.
Një ditë më parë, gjykata Administrative e Apelit pezulloi vendimin e Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë për bojkotimin e seancave gjyqësore në Gjykatën e Posaçme.
Vendimi erdhi pas kërkesës së Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion, e cila kundërshtoi bojkotin e vendosur nga Dhoma e Avokatisë.
Prej gati dy muajsh, avokatët kishin refuzuar të merrnin pjesë në seancat e GJKKO-së, në shenjë proteste ndaj rregullores së gjykatës, e cila ndalon mbajtjen e telefonave celularë brenda sallave të gjyqit.
Bojkoti ka sjellë shtyrjen e dhjetëra seancave gjyqësore.
Me vendimin e Apelit Administrativ, efektet e bojkotit pezullohen përkohësisht, duke i hapur rrugë vijimit të proceseve gjyqësore në Gjykatën e Posaçme.
Masa do të mbetet në fuqi deri në shqyrtimin e çështjes në themel. Është ky shqyrtim që do të përcaktojë përfundimisht ligjshmërinë e vendimit të Dhomës së Avokatisë për bojkotimin e seancave në GJKKO.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.