Bashkia e Tiranës nis rikonstruksionin e plotë të Shkollës së Baletit, përfundon në pranverë
Shkolla e Baletit do të jetë shumë shpejt në dispozicion të nxënësve që studiojnë në Tiranë, tërësisht e rikonstruktuar dhe me kushte më të mira. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet kjo shkollë dhe lajmëroi nisjen e punimeve për rikonstruksionin e saj, ku studiojnë 226 nxënës të moshave 10-18 vjeç. Aktualisht, për shkak të gjendjes së mjeruar të godinës, nxënësit e kësaj shkolle po vijojnë normalisht mësimin në shkollën “Migjeni”.
Duke vlerësuar kontributin e kësaj shkolle në nxjerrjen e talenteve, kryebashkiaku Veliaj tha se bashkia dhe institucionet shtetërore mbajnë përgjegjësi për investimet që janë publike dhe që duhet të jenë me standardet më të mira.
“Në kohë të tilla me shi, furtunë e stuhi, ndoshta nuk mbajmë dot përgjegjësi për pallatet e ndërtuara në vitet ’90, kundër gjithë kushteve urbanistike, pa kanalizime, as për zonat informale apo ata që kanë ndërtuar buzë lumenjve. Por, sigurisht që bashkia duhet të mbajë përgjegjësi për investime që janë publike dhe që duhen bërë sipas standardeve. Ndaj dhe e kemi marrë përsipër që, siç punuam me cilësi dhe prodhuam produkt të shkëlqyer tek Liceu Artistik, një tjetër shkollë kombëtare elitare, ashtu duam të punojmë edhe këtu, te Shkolla e Baletit”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës shprehu bindjen se, deri në pranverë, do të ketë përfunduar i gjithë rikonstruksioni i shkollës. “Ajo që kemi në dorë është të krijojmë kushte fantastike mësimi. Besoj se deri në pranverë do të kemi mbaruar të gjithë rikonstruksionin e Shkollës së Baletit. Ashtu siç punuam në kohë rekord me Liceun Artistik, ashtu do të mbarojmë edhe këtë shkollë”, tha ai. Kreu i bashkisë deklaroi se do të lirohen të gjitha hapësirat publike rreth e qark shkollave të zëna nga ndërtimet informale. Veliaj u kërkoi qytetarëve që kanë zaptuar oborret e shkollave t’i lirojnë ato.
“Kemi marrë disa propozime se si mund të bëjmë hapësirat më të bollshme. Do të na duhet të prishim disa ndërtime pa leje rreth e qark shkollës. Më vjen keq për këtë, por secili duhet ta mendonte që festa e ndërtimeve pa leje do të merrte fund një ditë dhe nuk mund të vazhdojë më shumë se 26 vjet. Madje, shumë ka zgjatur, ndaj dhe do të kërkojmë që të gjithë qytetarët që kanë zaptuar oborret e shkollave t’i lirojnë vullnetarisht. Nëse nuk do ta bëjnë këtë vullnetarisht, fadroma e bashkisë do ta bëjë këtë, por koha kur zaptojmë për të zgjidhur një interes të vogël të momentit duke zaptuar talentin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, ka mbaruar”, tha Veliaj.
Drejtoresha e Shkollës së Baletit, Blerina Arbana, vlerësoi investimin e Bashkisë së Tiranës për ndryshmin e gjendjes në të cilën ndodhet shkolla, ku shirat hynin tërësisht brenda. “Shkolla e baletit është e vetmja shkollë në Shqipëri, e cila ka një specifikë të veçantë, pra i pajis nxënësit me diploma, ku nxënësit janë të aftë që të studiojnë në shkollat më prestigjioze. Por do të doja të falënderoja në emër të stafit, në emër të nxënësve, sepse përsa i përket kushteve, sikurse ju e patë, lënë për të dëshiruar. Prej shumë vitesh kemi punuar në këto kushte. Të mendosh që janë 226 nxënës të cilët janë në këtë shkollë dhe që kanë punuar pa kushtet më minimale”, tha Arbana.
Godina ka patur disa shtesa dhe rikonstruksione ndër vite, por ndërhyrja e fundit daton që në vitin 2006. Ndërhyrjet në këtë shkollë parashikojnë rikonstruksionin e fasadës, hidroizolimin e tarracës, rikonstruksion total të nyjeve sanitare, rrjetit hidraulik, dhomat e zhveshjeve. Gjithashtu, për t’u ardhur në ndihmë nxënësve që studiojnë në këtë shkollë, do të vendosen 2 piano të reja në sallat e baletit, si dhe do të bëhet shtrimi me parketin e përshtatshëm për sallat e kërcimit, si dhe do të vendoset sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes.