Ekonomia

TABELAT/ Qeveria parashikon të shtojë 647 vende pune në administratë

Numri i përgjithshëm i punonjësve të administratës qendrore në organikë vitin e ardhshëm do të jetë 81 617 veta.

Kjo shënon një rritje prej 647 të punësuarish krahasuar me vitin në vazhdim, duke qenë se numri i nëpunësve të shtetit sivjet është 80.970 vetë.

Kjo shifër parashikohet në projektligjin për buxhetin e shtetit të vitit 2017, që ka mbërritur dje në Kuvend, ku kanë filluar menjëherë edhe diskutimet në Komisionin e Ekonomisë.

Sipas Buxhetit, numri maksimal i punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror, i dhënë në tabelën që riprodhohet më poshtë në këtë faqe, detajohet nga ministritë dhe institucionet qendrore, në përputhje me strukturat e miratuara për çdo institucion varësie.

Këshilli i Ministrave, nga ana e vet, ka të drejtën të rishpërndajë numrin e punonjësve ndërmjet institucioneve të përmendura në tabelë në rastin e ristrukturimit të institucioneve ekzistuese apo krijimit të institucioneve të reja.

Në tabelë përfshihet edhe një numër punonjësish rezervë, i cili do të përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për krijimin e institucioneve të reja. Këshilli i Ministrave përcakton gjithashtu numrin maksimal të punonjësve me kontratë të përkohshme për çdo ministri dhe institucion qendror.

Për vitin 2017 nuk do të ketë asnjë ndryshim në strukturat organike të njësive të qeverisjes qendrore me efekte financiare shtesë në koston e personelit, të përllogaritur sipas strukturës së miratuar, me përjashtim të institucioneve të reja dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë. Ky përcaktim përfshin edhe ato struktura, në të cilat paga për funksion jepet ose është sipas gradës përkatëse, ku çdo rritje në gradë do të bëhet efektive vetëm nëse nuk shoqërohet me efekte financiare shtesë në koston e përllogaritur sipas gradave të miratuara.

Reforma

Ndërkohë, si pasojë e reformës në sistemin e Drejtësisë, parashikohet të ketë edhe punonjës shtesë në aparatet përkatëse. Numri i punonjësve të institucioneve ekzistuese të sistemit të drejtësisë dhe numri rezervë për këtë sistem paraqitet në nënndarjen përkatëse në tabelë. Detajimi i numrit të punonjësve të institucioneve ekzistuese të sistemit, deri në momentin e riorganizimit, detajohet nga vetë institucionet. Rishpërndarja e numrit të punonjësve të institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe e numrit rezervë të tyre bëhet nga Ministria e Financave, pas vendimit të Kuvendit.

Nga Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave do të mund të përdoren deri në 500 milionë lekë, për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, sipas vendimit të Kuvendit. Shifër kjo, e barabartë me 3.7 milionë euro.

Pagat

Sikurse është bërë tashmë e njohur, në mars punonjësit e administratës, krahas pensionistëve, do të përfitojnë nga një rritje të ardhurash. Për këtë qëllim, është caktuar një fond vjetor në masën 6 miliardë lekë ose afro 44 milionë euro.

Fondi për rritjen e pagave prej 6 miliardë lekësh do të shpërndahet nga Ministria e Financave mbi bazën e nivelit të pagave që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në këtë fond përfshihen efektet financiare për rritjen e pagave në njësitë e qeverisjes qendrore, në institucionet e arsimit të lartë, në funksionet e reja transferuar buxhetit vendor nëpërmjet grantit specifik si dhe në fondin e sigurimit të kujdesit shëndetësor./Shqiptarja.com

258659 258660 258661 258662

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button