BBC: Pse gratë janë më të rrezikuara nga temperaturat ekstreme?
– Valët e të nxehtit ndikojnë tek të gjithë, por gratë janë më të rrezikuara nga temperaturat ekstreme, për shkak të ndryshimeve hormonale dhe mënyrës se si organizmi i tyre reagon ndaj vapës, shkruan BBC.
Ekspertët e shëndetit, bëjnë thirrje për më shumë ndërgjegjësim dhe masa mbrojtëse, ndërsa ndryshimet klimatike po sjellin valë të të nxehtit, gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive.
Sipas mjekes së përgjithshme në Shërbimin Kombëtar Shëndetësor të Britanisë së Madhe (NHS), Nighat Arif, gratë djersijnë më pak dhe e kanë më të vështirë të ulin temperaturën e trupit.
Për këtë arsye, zemra dhe sistemi i qarkullimit të gjakut ngarkohen më shumë, gjatë motit të nxehtë.
Ekspertët shpjegojnë se ndryshimet e nivelit të hormoneve gjatë ciklit menstrual, shtatzënisë, periudhës para menopauzës dhe menopauzës, ndikojnë në aftësinë e organizmit për të rregulluar temperaturën.
Kjo bën që shumë gra të përjetojnë më shpesh lodhje, marramendje, dobësi, pagjumësi dhe afshe të nxehta, gjatë valëve të të nxehtit.
Sipas specialistëve, edhe menstruacionet mund t’i përkeqësojnë simptomat.
Humbja e hekurit gjatë ciklit menstrual, mund të ulë energjinë dhe të rrisë ngarkesën mbi sistemin kardiovaskular, duke e bërë organizmin më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta.
Gratë në menopauzë ose para menopauzës mund të përjetojnë më shpesh afshe të nxehta dhe djersitje gjatë natës, ndërsa temperaturat e larta i përkeqësojnë këto simptoma.
Rreziku është më i madh edhe për gratë shtatzëna.
Sipas studimeve, gjatë shtatzënisë organizmi prodhon më shumë nxehtësi dhe ka nevojë për më shumë lëngje, ndërsa ekspozimi ndaj vapës ekstreme, mund të rrisë mundësinë e komplikacioneve si për nënën, ashtu edhe për foshnjën.
Nga ana tjetër, Cat Pinho-Gomes, konsulente akademike në Institutin për Shëndetin Global të Universitetit të Londrës, thekson se ndikim kanë edhe faktorët socialë.
Sipas saj, gratë shpesh mbajnë përgjegjësi më të mëdha për kujdesin ndaj familjes, ndërsa jetojnë mesatarisht më gjatë se burrat, çka i ekspozon më shumë ndaj pasojave të temperaturave të larta, në moshë të avancuar.
Ekspertët këshillojnë që gjatë valëve të të nxehtit të konsumohet sa më shumë ujë, të shmanget aktiviteti fizik në orët më të nxehta të ditës, të përdoren mjete për freskim dhe të njihen shenjat e rraskapitjes nga vapa, si marramendja, dobësia dhe të fikëtit.
Sipas tyre, temperaturat ekstreme duhet të konsiderohen si një sfidë serioze për sistemin kardiovaskular, veçanërisht tek gratë, ndaj nevojiten politika dhe masa më të përshtatura për mbrojtjen e tyre gjatë valëve të të nxehtit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.