BE-ja dhe Indonezia nënshkruajnë marrëveshjen tregtare pas 10 vjetësh negociata
Bashkimi Evropian dhe Indonezia nënshkruan të shtunën një marrëveshje gjithëpërfshirëse tregtare dhe një marrëveshje për mbrojtjen e investimeve, pas 10 vjetësh negociata, siç njofton Reuters duke cituar një deklaratë të Komisionit Evropian.
Sipas marrëveshjes, të dyja palët do të heqin tarifat doganore për më shumë se 90 për qind të produkteve. Indonezia do të heqë edhe tarifën deri në 50 për qind që zbatohet sot për eksportet evropiane të automjeteve, ndërsa eksportuesit e BE-së pritet të kursejnë rreth 650 milionë euro në vit nga heqja e detyrimeve doganore.
Marrëveshja heq tarifat për pjesën më të madhe të eksporteve bujqësore evropiane drejt Indonezisë, vendit të katërt më të populluar në botë, ku BE-ja eksporton aktualisht rreth 1 miliard euro produkte agroushqimore në vit. Pakti mbron gjithashtu 221 tregues gjeografikë evropianë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e quajti paktin një nga marrëveshjet më ambicioze që BE-ja ka arritur në Azi dhe tha se ai do të heqë tarifat për pothuajse të gjithë tregtinë mes dy palëve. Marrëveshja u përmbyll fillimisht në shtator 2025 dhe nënshkrimi i saj vjen ndërsa Brukseli kërkon të diversifikojë tregtinë dhe të zbusë ndikimin e tarifave të presidentit amerikan Donald Trump.
Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2027, pasi Parlamenti Evropian duhet ende ta miratojë dhe të dyja palët duhet të përmbyllin procedurat e brendshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.