Të miturit në dhunë për shkak të krizës së identitetit! Psikologia: Dalin në protestë nga dëshira për vëmendje!
40 të mitur janë arrestuar dhe 180 të tjerë janë proceduar që prej nisjes së protestave.
Shifra që nxjerrin në pah një fenomen shqetësues, përfshirjen e të miturve në protesta që përshkallëzohen në përplasje dhe akte dhune.
Rrjetet sociale, ndikimi i grupit dhe mungesa e orientimit nga familja konsiderohen ndër faktorët që mund të ndikojnë në sjelljen e tyre, duke e kthyer këtë fenomen në një shqetësim që shkon përtej vetë protestave”
Nga ekranet e telefonit deri te përplasjet në rrugë. Përfshirja e të miturve në akte dhune gjatë protestave, sipas psikologes Destemona Çelo, lidhet me ndikimin e grupit, dëshirës për vëmendje, por edhe kriza e identitetit që e karakterizon këtë periudhë të jetës.
“Mosha e adoleshencës në vetvete është një periudhë krize identiteti dhe rebelimi. Në këtë moshë ndikojnë shumë faktorë. Nevoja për t’u pranuar dhe për të qenë pjesë e një grupi, e diçkaje më të madhe, mund t’i shtyjë adoleshentët të humbasin veten, pa kuptuar se çfarë aktesh mund të kryejnë. Kjo bëhet edhe më shqetësuese, pasi pasojat prekin jo vetëm ata vetë, por edhe individët e tjerë dhe mjedisin ku jetojnë”, thotë ajo për ABC News.
Rrjetet sociale po ashtu ndikojnë ne perceptimin dhe sjelljen e adoleshenteve.
“Algoritmi i videove të dhunshme dhe i mesazheve që mund të lidhen me protestën bën që ato të shpërndahen me shpejtësi, për të rritur shikueshmërinë, duke mbërritur shumë shpejt te adoleshentët. Një gjë që vlen të theksohet është se adoleshentët janë ende në periudhë zhvillimi dhe truri i tyre është në zhvillim. Mendimi kritik mbetet më pak i zhvilluar se te të rriturit. Prandaj duhen ndihmuar të kuptojnë nëse duhet të përfshihen në akte dhune”
Edhe dinamika e grupit ndikon në sjelljen e të miturve. Psikologia thotë se kur veprojnë në grup, adoleshentët e kane të vështirë të kuptojnë përgjegjësinë individuale për veprimet e tyre.
“Fenomeni i grupit zakonisht ndikon në shpërndarjen e përgjegjësisë. Në momentin që përgjegjësia shpërndahet, mendojmë se nuk është më përgjegjësia jonë dhe kjo mund të nxisë përkeqësimin e sjelljes.”
Përfshirja e te miturve në protesta që shoqërohen me akte dhune ka edhe pasoja psikologjike, veçanërisht për ata qe përballen për herë të parë me drejtësinë.
“Ndikimi është individual, por mund të përjetohet si një ngjarje traumatike. Adoleshentët mund të ndihen të gjykuar edhe nga bashkëmoshatarët, çka ndikon në mënyrën se si perceptojnë veten në atë moment, por edhe më vonë. Një nga pasojat kryesore është përjetimi emocional.”
Psikologia Çelo nënvizon se edukimi qytetar që në moshë të hershme është thelbësor, që të miturit të mësojnë të menaxhojnë frustrimin dhe të kërkojnë të drejtat e tyre pa iu drejtuar dhunës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.