“BE kërkon konsensus”- Tabaku kundër Reformës Territoriale: Dështon të përfaqësojë qytetarët dhe cenon autonominë
Tabaku kundër Reformës Territoriale: Dështon të përfaqësojë qytetarët dhe cenon autonominë vendore
Gjatë fjalës së saj nga foltorja e Kuvendit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u deklarua prerazi kundër reformës së re territoriale.
Ajo argumentoi se ndryshimet e propozuara po mbështeten mbi llogari elektorale dhe jo mbi nevojat reale të komuniteteve, duke anashkaluar një analizë të thellë të impaktit të reformës së vitit 2015.
“Sot po na kërkohet të votojmë reformën territoriale, por pyetja kryesore mbetet: çfarë përfitojnë qytetarët nga kjo reformë që thjesht vizaton kufij të rinj në hartë? I vetmi diskutim që dëgjohet është se kush fiton Divjakën apo Poliçanin, ndërkohë që askush nuk po mendon për qytetarin,” deklaroi Tabaku.
Deputetja theksoi gjithashtu se dështimet e mëparshme administrative janë konstatuar edhe nga institucionet kushtetuese të kontrollit, por nuk janë marrë parasysh.
“Që në vitin 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatonte se reforma e 2015-ës nuk i kishte përmbushur objektivat dhe shfaqte probleme serioze në ushtrimin e funksioneve. Politikat fiskale e buxhetore kanë cenuar autonominë vendore, ndërsa asnjë nga këto mangësi nuk është korrigjuar apo sjellë për diskutim në parlament,” nënvizoi ajo.
Humbja e përfaqësimit direkt dhe cenimi i autonomisë
Në fjalën e saj, Tabaku renditi disa nga parimet themelore që, sipas saj, po shkelen me këtë reformë, duke veçuar largimin e pushtetit nga qytetari dhe rritjen e kostove për banorët e zonave periferike.
“Territori është identitet dhe demokraci lokale: Territori nuk është pushtet dhe as leje ndërtimi. Banorët në Zall-Herr, Mullet, Bërzhitë, Baldushk apo Qinam nuk do të marrin asnjë shërbim më shumë; përkundrazi, do të marrin më pak shërbime ndërsa vazhdojnë të paguajnë faturën e kripur të taksave dhe tarifave të rritura të ‘Bashkisë së Madhe’ Tiranë,” tha Tabaku.
Ajo ngriti shqetësimin se zëvendësimi i drejtuesve të zgjedhur me zyrtarë të emëruar dëmton llogaridhënien dhe përfaqësimin e komuniteteve lokale.
“Kur një komunitet shkrihet me një tjetër, ai humbet kryetarin e zgjedhur, këshillin bashkiak, vendimmarrjen për buxhetin lokal dhe sigurinë për shërbime. Zëvendësimi i tyre me një administrator apo nënkryetar të emëruar cenon drejtpërdrejt demokracinë vendore,” argumentoi deputetja.
Kërkesat e BE-së për konsensus dhe përfshirje
Lidhur me standardet ndërkombëtare dhe procesin e integrimit evropian, Tabaku solli në vëmendje komunikimet me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, duke theksuar se reformave të tilla u mungon gjithëpërfshirja.
“Në komunikimet me Komisionin Evropian dhe komisioneren Kos, theksohet qartë se kjo reformë — ashtu si çdo reformë që lidhet me procesin e integrimit — kërkon gjithëpërfshirje, mbështetje të gjerë qytetare, të shoqërisë civile dhe konsensus politik. Duke qenë se prek drejtpërdrejt sistemin elektorat, ajo nuk mund të imponohet në mënyrë të njëanshme,” u shpreh ajo.
Në përmbyllje të fjalës së saj, deputetja e opozitës rikonfirmoi qëndrimin se forca e një bashkie matet me cilësinë e shërbimit dhe dëgjimin e zërit të qytetarit, e jo me shifra apo zgjerim territori.
“Një bashki nuk është më e fortë thjesht sepse ka më shumë financa. Një bashki është më e fortë kur zëri i qytetarit dëgjohet, kur shërbimi funksionon, kur pushteti jep llogari dhe kur çdo vendim merret në të mirë të publikut. Kjo që po paraqitet sot nuk është një reformë e qytetarëve, por një reformë e pushtetit dhe e llogarive elektorale,” përfundoi Tabaku.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.