BE, masa kundër platformave që synojnë të transmetojnë ekzekutimin e të dënuarit në SHBA
Bashkimi Evropian paralajmëroi sot platformat dixhitale që të mos transmetojnë drejtpërdrejt ekzekutimin e planifikuar në Shtetet e Bashkuara të një burri të dënuar për vrasjen e ushtarëve amerikanë.
Javën e kaluar, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, njoftoi se ekzekutimi i 56-vjeçarit Nidal Hassan, autorit të sulmit që vrau trembëdhjetë persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë në një bazë ushtarake në shtetin e Teksasit në vitin 2009, do të transmetohet drejtpërdrejt. Hassan do të ekzekutohet nga një skuadër speciale.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk ka komentuar publikisht për këtë plan të paprecedentë.
Çfarë vlen për Evropën?
Sipas rregullave dixhitale të BE-së, platformat duhet të “zbatojnë me kujdes rregullat e tyre të përdorimit”, shpjegoi zëdhënësi i Komisionit, Thomas Rainier.
“Meta ndalon në mënyrë të qartë transmetimin e drejtpërdrejtë të ekzekutimeve të dënimit me vdekje, ndërsa X dhe TikTok ndalojnë përmbajtjen që është tronditëse ose që glorifikon dhunën”, theksoi ai.
Rainier tha se nuk kishte asnjë koment mbi atë që po bënin platformat në SHBA.
«Por në Evropë kemi rregulla të qarta», shtoi ai, duke iu referuar Aktit Evropian të Shërbimeve Dixhitale (DSA), i cili merret, ndër të tjera, me luftimin e përmbajtjes së paligjshme.
Nëse rrjetet nuk i përmbahen kërkesave, BE-ja do të përdorë fuqitë që i janë dhënë nga rregulloret e saj dixhitale për të parandaluar transmetimet drejtpërdrejt.
Administrata Trump shpesh i kritikon këto rregulla, duke i konsideruar ato një mjet “censure” – një akuzë që Bashkimi Evropian e hedh poshtë kategorikisht.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.