BELGJIKË – Mbreti Philippe refuzon dorëheqjen e kryeministrit, De Wever mbetet në detyrë
BRUKSEL, 6 nëntor /ATSH-DPA/- Kryeministri belg, Bart De Wever do të vijojë të qëndrojë në detyrë, pasi mbreti Philippe refuzoi të pranonte dorëheqjen e tij, të paraqitur pas dështimit të negociatave për buxhetin e vendit.
Mbreti e mori këtë vendim pasi drejtuesit e pesë partive të koalicionit qeverisës, u angazhuan zyrtarisht se do të bëjnë lëshime për të arritur një kompromis, njoftoi sot Pallati Mbretëror në një deklaratë, pas takimit mes mbretit dhe De Wever.
Kriza politike lidhet me negociatat për buxhetin e Belgjikës për vitin 2027 dhe paketën e masave shtrënguese, që synojnë kursimin e rreth 10 miliardë eurove deri në vitin 2029.
De Wever, një politikan konservator nacionalist, drejton një koalicion prej pesë partish, që përfshin forca politike nga e majta në të djathtë.
Negociatat për buxhetin arritën në një pikë bllokimi fundjavën e kaluar, pasi përfaqësuesit e krahut të djathtë dhe të qendrës së majtë nuk arritën marrëveshje për reformat tatimore. Kjo e shtyu kryeministrin të paraqiste dorëheqjen të hënën.
Gjatë kësaj jave, mbreti zhvilloi takime me drejtuesit e partive politike në përpjekje për të kapërcyer ngërçin.
“Të gjithë rikonfirmuan vendosmërinë për të arritur një marrëveshje mbi planin e qëndrueshëm buxhetor për tre vitet e ardhshme”, thuhet në deklaratën e pallatit mbretëror.
Mbreti theksoi nevojën për të gjetur një ekuilibër mes ruajtjes së kohezionit social dhe nxitjes së rritjes ekonomike. Gjithashtu, drejtuesit e partive u zotuan të respektojnë frymën e kompromisit dhe përgjegjësisë për të arritur një marrëveshje.
Sipas pallatit mbretëror, De Wever do të informojë mbretin Philippe më 16 nëntor për ecurinë e negociatave.
Belgjika, një nga vendet me borxhin publik më të lartë në Bashkimin Evropian, duhet të kursejë miliarda euro për të respektuar rregullat e BE-së mbi deficitin dhe borxhin publik.
Në të njëjtën kohë, vendi po përballet me presion për të rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen në vitet e ardhshme, në përputhje me planet e NATO-s.
Qeveria po përballet gjithashtu me kundërshtime në rritje nga qytetarët dhe sindikatat, të cilat kanë organizuar protesta kundër masave shtrënguese të parashikuara.
Në tetor, rreth 40 000 persona morën pjesë në një protestë të sindikatave, në Bruksel kundër shkurtimeve të planifikuara buxhetore.
Dy ditë më vonë, një marshim tjetër mblodhi deri në 60 000 protestues, të cilët kërkuan që qeveria të mos heqë dorë nga objektivat e saj për klimën. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.