BEOGRAD – Vuçiç denoncon kërcënimet me jetë dhe akuzon Kroacinë për ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë
BEOGRAD, 26 nëntor /ATSH – AA/ – Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka përsëritur se kundërshtarët politikë mund të tentojnë ta vrasin ose arrestojnë si dhe ka akuzuar Kroacinë për ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë.
Duke folur për televizionin Informer mbrëmë, Vuçiq tha se po shqyrton mundësinë e hyrjes në grevë urie dhe se do të refuzojë ndihmën mjekësore nëse vendosë ta ndërmarrë këtë hap. “Ata do të përpiqen të më largojnë, të më vrasin, të më arrestojnë ose t’i nënshtrojnë veprimit të lustracionit, në një mënyrë apo tjetër”, tha Vuçiç.
Ai tha se ishte vetëm çështje kohe para se të fillonte grevën e urisë, duke shtuar se do t’u japë udhëzime zyrtare mjekëve që të mos i ofronin ndihmë mjekësore. Ish-presidenti serb gjithashtu akuzoi Kroacinë për përfshirje në atë që e cilësoi si “revolucion me ngjyra” në Serbi.
Vuçiq pretendoi se aktorë të huaj, veçanërisht nga Kroacia, ishin ndër disa qendra pushteti që ndikonin në udhëheqjen politike të vendit. Kroacia deri më tani nuk ka komentuar ndaj këtyre pretendimeve.
Deklaratat e tij erdhën disa orë pasi autoritetet serbe ndaluan pronarin dhe kryeredaktorin e televizionit Informer, Dragan J. Vuçiqeviç.
Dje, Vuçiqeviq u ndalua nën dyshimin për përhapje të panikut dhe pengim të drejtësisë. Prokurorët urdhëruan ndalimin e tij deri në 48 orë, në pritje të marrjes në pyetje. Vuçiç e cilësoi arrestimin si të motivuar politikisht dhe akuzoi autoritetet se po shënjestronin aleatët e tij për shkak të deklaratave të tyre publike.
Ai paralajmëroi se udhëheqja e re politike e Serbisë mund të përballet me presion lidhur me marrëdhëniet me Kroacinë, Kosovën dhe entitetin e Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë. Në muajin shtator, Vuçiç dha dorëheqje nga posti i presidentit për ta udhëhequr Partinë Përparimtare Serbe (SNS) në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit, të cilat u fituan nga opozita e mbështetur nga studentët.
Ai tani drejton grupin parlamentar opozitar “Serbia Fiton” në Asamblenë Kombëtare. Lista Studentore, e cila siguroi shumicën parlamentare në zgjedhje, ende nuk e ka formuar qeverinë e re.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.