Një tjetër akuzë për Gérard Depardieu, aktori rrezikon deri në 20 vite burg

Aktori i njohur francez Gérard Depardieu do të përballet me një tjetër proces gjyqësor, pasi Gjykata e Apelit në Paris vendosi që ai të dalë në gjyq për akuzat për përdhunim ndaj aktores Charlotte Arnould, lidhur me ngjarje të pretenduara në vitin 2018.
Vendimi u mor këtë të enjte, më 26 nëntor, pasi gjykata shqyrtoi ankimimin e mbrojtjes së aktorit, e cila kishte kundërshtuar dërgimin e çështjes në gjyq.
Sipas vendimit, Depardieu do të gjykohet për një nga dy episodet e pretenduara, që lidhet me datën 7 gusht 2018. Gjykatarrëzoi akuzën për episodin e dytë, të pretenduar më 13 gusht të po atij viti.
Charlotte Arnould ishte vetëm 22 vjeçe kur akuzoi aktorin se e kishte përdhunuar në banesën e tij në Paris, gjatë dy episodeve të ndodhura në gusht të vitit 2018.
Aktorja kishte shkuar në shtëpinë e Depardieu për të ushtruar një tekst teatror. Ajo pretendon se gjatë këtyre takimeve është sulmuar seksualisht nga aktori, i cili në atë kohë ishte 69 vjeç.
Arnould e mirëpriti vendimin e gjykatës, ndërsa avokatja e saj e cilësoi atë një lehtësim për klienten, e cila ka pritur prej vitesh që çështja të shkojë në gjyq.
Nga ana tjetër, Gérard Depardieu i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Avokatja e tij ka bërë të ditur se aktori kundërshton vendimin dhe se ekipi mbrojtës po shqyrton mundësinë e një ankimi të mëtejshëm.
Në rast se shpallet fajtor, aktori 77-vjeçar mund të përballet me një dënim nga 15 deri në 20 vite burg.
Ky proces vjen vetëm pak ditë pasi Depardieu hoqi dorë nga ankimi kundër një tjetër dënimi të marrë në vitin 2025, për sulme seksuale ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit “Les Volets Verts”, në vitin 2021.
Në atë çështje, ai u dënua me 18 muaj burg me kusht. Më 16 nëntor, aktori tërhoqi ankimimin dhe kërkoi falje publike ndaj personave që mund të kenë vuajtur nga sjellja e tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.