Berisha në forumin e IDU në Zagreb: Autokracia zgjedhore dhe narko-shteti po pengojnë integrimin në BE
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur në forumin e "Unionit Ndërkombëtar Demokrat" (IDU) në Zagreb, ku është ndalur te procesi i
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur në forumin e “Unionit Ndërkombëtar Demokrat” (IDU) në Zagreb, ku është ndalur te procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe faktorët që sipas tij po e pengojnë atë.
Ai identifikoi si pengesa kryesore atë që e cilësoi “autokraci zgjedhore” dhe “narko-shtet”, duke pretenduar se këto fenomene kanë ndikuar negativisht në ekonominë dhe demokracinë në vend.
Berisha tha se integrimi europian duhet të jetë tërësisht i bazuar në meritë, duke theksuar se vetëm një proces i tillë mund t’u sjellë qytetarëve më shumë të drejta, liri, shtet ligjor dhe prosperitet.
“Ky proces duhet dhe patjetër duhet të jetë plotësisht i bazuar në meritë,” u shpreh Berisha, duke shtuar se mbështetja e shqiptarëve për integrimin në BE dhe NATO mbetet shumë e lartë, por procesi sipas tij është zvarritur për shkak të faktorëve të brendshëm.
Ai ngriti edhe shqetësime për nisma rajonale, të cilat sipas tij nuk ndihmojnë integrimin europian, si dhe për ndikimin e tyre në zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor.
Berisha deklaroi gjithashtu se procesi demokratik lidhet ngushtë me zgjedhjet e lira dhe mundësinë e rotacionit të pushtetit, duke kritikuar situatën politike në Shqipëri dhe duke përmendur largimin e qytetarëve nga vendi ndërsa e mbylli fjalën e tij duke theksuar se pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë të ardhme demokratike për vendin.
Forumi u hap nga kryetari i IDU dhe ish-kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper, së bashku me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar përballë krizave të sigurisë, zhvillimeve ekonomike dhe presioneve migratore.
Në forum marrin pjesë gjithashtu ish-liderë dhe përfaqësues të lartë politikë nga Europa dhe vende të tjera, të cilët po diskutojnë çështje të rëndësishme si siguria në rajon, marrëdhëniet transatlantike, ndikimet gjeopolitike, migracioni dhe zhvillimet demografike.
Forumi i Unionit Ndërkombëtar Demokrat (IDU) që po zhvillohet në Zagreb është një nga takimet më të rëndësishme të partive të qendrës së djathtë në nivel ndërkombëtar, ku liderë politikë nga vende të ndryshme po diskutojnë sfidat globale dhe zhvillimet aktuale gjeopolitike ndërsa konsiderohet një platformë e rëndësishme për koordinimin e qëndrimeve të së djathtës në nivel global.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.