Berisha pret Sekretaren e Përgjithshme e PPE-ve, Dolors Montserrat: Korrupsioni sistemik pengon integrimin
Pas rikonfirmimit të tij si kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha priti sot në një takim zyrtar Sekretaren e Përgjithshme të Partisë Popullore Europiane (PPE), eurodeputeten Dolors Montserrat.
Në takim, Berisha u shoqërua nga bashkëpunëtorët e tij: Fatmir Mediu, Kryetar i Partisë Republikane, Albana Vokshi, Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas, dhe Enri Çeno, Sekretar i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Montserrat i uroi Berishës sukses për rikonfirmimin si kryetar i PD-së, si dhe për organizimin e Kuvendit Kombëtar të partisë që do të mbahet këtë të shtunë.
Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, palët diskutuan zhvillimet politike në Shqipëri, sfidat me të cilat përballet demokracia shqiptare, si dhe perspektivat e integrimit evropian.
Berisha theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet ëndrra e shqiptarëve, por vuri në dukje se korrupsioni sistemik, kapja e institucioneve dhe ajo që ai e quajti “narkoregjim” përbëjnë pengesa serioze për plotësimin e standardeve evropiane.
“Theksova se ëndrra e përhershme e shqiptarëve ka qenë integrimi europian dhe aspirata për ta parë Shqipërinë si pjesë të denjë të familjes europiane. Shqiptarët e meritojnë plotësisht integrimin në Bashkimin Europian, por korrupsioni sistemik, kapja e institucioneve dhe narkoregjimi kanë mbetur pengesa serioze për përmbushjen e standardeve evropiane”, ka theksuar Berisha.
Gjatë bisedës u shprehën shqetësime të përbashkëta për largimin masiv të të rinjve nga vendi, dobësimin e shtetit ligjor dhe nevojën për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, si kusht themelor për një demokraci funksionale.
Kryetari i PD-së shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Partia Popullore Evropiane dhe Dolors Montserrat i kanë dhënë opozitës shqiptare, duke e cilësuar këtë solidaritet si jetik për betejën për demokrací, pluralizëm dhe vlera evropiane.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.