Berisha: Rama përgjegjës për një regjim autoritar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim me Departamentin e Arsimit e ka cilësuar Edi Ramën si njeriun përgjegjës për një ‘regjim autoritar’, për shpopullim dhe për kriza të thella politike, ekonomike dhe mjedisore në vend.
Gjatë fjalës së tij Berisha e vuri theksin tek protesta qytetare që po zhvillohet, të cilën Berisha e quajti ‘lëvizje të drejtë dhe masive historike’, duke u bërë thirrje studentëve dhe pedagogëve që të angazhohen në mbështetje të saj.
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi në fjalën e tij se, situata në vend është përshkallëzuar për shkak të, siç tha ai, shkeljeve të rënda të të drejtave të qytetarëve dhe mungesës së transparencës në vendimmarrje.
‘Një protestë kaq e fuqishme, kaq masive, kaq e qëndrueshme, nuk është parë kurrë në historinë e këtij vendi,’ u shpreh ai, duke shtuar se bëhet fjalë për një reagim qytetar ndaj ‘brutalitetit ndaj qytetarëve dhe komunitetit’, theksoi Berisha. Sipas tij, Edi Rama drejton një sistem që ‘shtyp pluralizmin dhe përdor institucionet për kontroll politik’.
Lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se, zgjedhjet e 11 Majit 2025 në Shqipëri janë zhvilluar në kushte të pabarabarta, dhe kanë qenë farsë elektorale, ndërsa akuzoi qeverinë për përdorim të burimeve publike dhe ndikim të organizuar.
Ai deklaroi gjithashtu se qeveria është e përfshirë në lidhje me krimin e organizuar në proceset politike, duke përmendur grupe kriminale dhe ndikim në lista deputetësh.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së Sali Berisha e vuri theksin edhe tek çështjet mjedisore, ku akuzoi qeverinë e Edi Ramës për shkatërrim të zonave të mbrojtura dhe pasurive natyrore.
‘Edi Rama ka qenë një Neron i vërtetë për mjedisin,’ deklaroi ai, duke përmendur Parkun e Dajtit, Shëngjergjit, Leskovikun dhe Butrintin, për të cilat tha se janë dëmtuar nga ndërhyrjet dhe interesat e qeverisë.
Berisha iu referua edhe ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura dhe administrimin e trashëgimisë kulturore, duke thënë se ato ‘kanë hapur derën e ndërhyrjeve të pakontrolluara’.
Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha u bëri thirrje të drejtpërdrejtë studentëve dhe pedagogëve që të angazhohen në protestë.
‘Roli i studentëve dhe roli juaj në mbështetje të saj është i jashtëzakonshëm,’ tha ai, duke shtuar se çdo përpjekje për t’u bërë presion studentëve duhet kundërshtuar.
Berisha paralajmëroi se, sipas tij, ndaj studentëve po ushtrohen presione për shkak të pjesëmarrjes në protesta.
‘Protesta është e vetmja rrugë për të shpëtuar Shqipërinë,’ u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij, duke kërkuar mobilizim të vazhdueshëm qytetar për largimin e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.