BERLIN – Merz pret Koalicionin e të Vullnetshmëve për bisedimet mbi Ukrainën
BERLIN, 19 nëntor /ATSH-DPA/– Kancelari gjerman, Friedrich Merz priti sot në Kancelarinë Federale në Berlin rreth 30 liderë të Koalicionit të të Vullnetshmëve, në një samit të rëndësishëm kushtuar Ukrainës.
Vendet që mbështesin Kievin synojnë të rikonfirmojnë në këtë takim, mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën në luftën mbrojtëse kundër Rusisë, si dhe të bashkërendojnë qëndrimet për negociatat, që po zhvillohen për t’i dhënë fund luftës.
Në rast të arritjes së një armëpushimi, Koalicioni i të Vullnetshmëve synon t’i ofrojë Ukrainës garanci sigurie, ndër të tjera përmes krijimit të një force shumëkombëshe.
Stërvitjet e para të kësaj force po zhvillohen aktualisht në Poloni, në hapësirën ajrore mbi Rumani dhe në pjesën perëndimore të Detit të Zi.
Negociatorët amerikanë do të marrin pjesë gjithashtu në Berlin
Ky është një nga samitet më të mëdha që zhvillohen në Gjermani gjatë dekadave të fundit.
Përveç Merz, në organizimin e takimit janë përfshirë edhe presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik, Andy Burnham.
Në takim pritet të marrin pjesë gjithashtu presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, si dhe negociatorët amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Samiti i aleatëve të Ukrainës zhvillohet menjëherë pas takimit historik tripalësh, mes presidentit amerikan, Donald Trump, udhëheqësit kinez, Xi Jinping dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në qytetin kinez, Shenzhen.
Takimi tripalësh u fokusua në uljen e numrit të armëve bërthamore në botë, si dhe përfunfimin e luftës në Ukrainë.
Koalicioni u krijua në fillim të vitit 2025
Koalicioni i të Vullnetshmëve u krijua në fillim të vitit 2025 për të mbështetur Ukrainën.
Aktualisht, ai përbëhet nga afro 40 vende, të cilat i furnizojnë Ukrainës armë për mbrojtjen kundër Rusisë ose i ofrojnë ndihmë humanitare dhe financiare.
Në dhjetor 2025, grupi vendosi të krijojë një forcë shumëkombëshe, për të garantuar respektimin e një armëpushimi të mundshëm mes Ukrainës dhe Rusisë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.