Besëlidhja, Josa shijon 3 pikët ndaj fushëkrujasve
Besëlidhja ka dhënë një sinjal të fortë në garën për kreun e renditjes, duke mposhtur një rival direkt si Iliria e Fushë-Krujës. Në sfidën e së hënës, të vlefshme për javën e 11-të të kampionatit, lezhjanët fituan me përmbysje 2-1, në një ndeshje të luftuar dhe me emocione deri në sekondat e fundit.
Takimi nisi me ritëm dhe të dyja skuadrat kërkuan të impononin lojën e tyre, por ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh. Në minutën e 44-t, Adeniji përfitoi nga një moment i mirë i Ilirisë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke bërë që Besëlidhja ta mbyllte pjesën e parë në disavantazh.
Në fraksionin e dytë, skuadra e Mirel Josës u hodh në kërkim të barazimit, edhe pse fillimisht nuk arriti të shfaqte lojën e dëshiruar. Reagimi erdhi në minutën e 69-të, kur Ogungbire riktheu baraspeshën dhe rihapi plotësisht takimin. Kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi, në skenë doli Hila, i cili në minutën e 90+3 vulosi përmbysjen dhe i dhuroi Besëlidhjes një fitore me shumë vlera.
Ky sukses e çon skuadrën lezhjane në kuotën e 17 pikëve, duke e mbyllur fazën e parë katër pikë pas dy kryesueseve, Besës dhe Ilirisë. Një rezultat që konfirmon ambiciet e Besëlidhjes për të qenë pjesë e garës deri në fund.
Pas ndeshjes, trajneri Mirel Josa u shpreh i kënaqur me rezultatin, duke theksuar se objektivi kryesor ishte marrja e tri pikëve. Ai pranoi se skuadra pati vështirësi në momente të caktuara, por vlerësoi ndikimin që pati goli i barazimit në reagimin e lojtarëve.
“I kënaqur jam në përfundim të takimit, pasi në fund të fundit luanim për tri pikët. Skuadra nuk është se nuk u mundua në pjesën e parë, pasi krijoi sulme të rrjedhshme, por u ndëshkua pas një rasti shumë naiv nga ana jonë. Kështu është futbolli. Pjesën e dytë nuk e nisëm mirë. Në 20 minutat e para nuk luajtëm siç duhet, pasi ishim të tensionuar, por na ndihmoi shumë goli i parë”, u shpreh Josa pas ndeshjes.
Tashmë, Besëlidhjen e pret një tjetër provë e rëndësishme në nisje të fazës së dytë. Lezhjanët do të presin Kukësin në fushën e tyre, me synimin për të vazhduar me rezultate pozitive dhe për të marrë edhe hakun e humbjes së pësuar në ndeshjen e parë të kampionatit, në “Kukës Arena”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.