BIRN: Komuna e Budvës pagoi 67 mijë euro firmës së kandidatit për këshilltar, duke tejkaluar kufirin e prokurimeve direkte
Komuna e Budvës shpenzoi në vitin 2025 rreth 665.828 euro për prokurime të thjeshta, më shumë se dyfishi i kufirit ligjor prej 300 mijë eurosh, dhe i dha shërbimet e marketingut pa tender kompanisë Print Adria, pronari i së cilës ishte kandidat në listën e koalicionit qeverisës, zbulon analiza e BIRN-it.
Komuna e Budvës, gjatë vitit 2025, e tejkaloi kufirin e lejuar për prokurimet direkte dhe ndau punë pa zbatuar procedurat e parashikuara, ndërsa shërbimet e marketingut ia pagoi një firme, pronari i së cilës ishte kandidat për këshilltar në listën “Budva naš grad”, siç njofton RTCG-ja duke iu referuar analizës së BIRN-it.
Sipas BIRN-it, Komuna e Budvës shpenzoi vitin e kaluar 665.828 euro me TVSH për prokurime të thjeshta publike, duke e tejkaluar ndjeshëm kufirin vjetor ligjor prej 300.000 eurosh pa TVSH. Analiza e dokumenteve tregoi se autoritetet komunale nuk zbatuan procedurat e prokurimit as në rastet kur vlera i kalonte 8.000 euro, prag mbi të cilin, për shërbimet deri në 25.000 euro, rregullorja kërkon shpalljen e thirrjes publike përmes sistemit elektronik të prokurimeve CEJN.
Të dhënat e siguruara përmes kërkesës për qasje të lirë në informata tregojnë, sipas raportimit të RTCG-së, se komuna bleu shërbime të njëjta ose të ngjashme — kryesisht reprezentacion, reklamim, marketing dhe dizajn — pa procedurat përkatëse. Komuna nuk i dorëzoi BIRN-it faturat e shpenzimeve të reprezentacionit dhe nuk iu përgjigj pyetjeve për parregullsitë e konstatuara.
Kompanisë Print Adria komuna i pagoi rreth 67.000 euro përmes prokurimeve të thjeshta, kryesisht për marketing dhe reklamim, pa shpallur tender, siç njofton RTCG-ja. Nga kjo firmë u blenë, ndër të tjera, bluza dhe kapele për gati 4.000 euro, dhurata protokollare me vlerë 7.500 euro dhe pllaka e dhurata për fituesit e çmimit “Luça” për mbi 9.000 euro.
Pronari dhe drejtori i Print Adria-s, Željko Stojanović, ishte kandidat për këshilltar në listën “Budva naš grad – Nikola Jovanović”, pjesë e koalicionit qeverisës në Budva, ndërsa bartësi i listës, Nikola Jovanović, është kryetari aktual i komunës. Komuna e Budvës nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it se me çfarë kriteresh u angazhua Print Adria, pse nuk u zbatua procedura përkatëse e prokurimit dhe nëse firma në pronësi të kandidatit pati pozitë të privilegjuar në ndarjen e punëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.