Bleona Mata e birësuar nga një çift grek? Avokati Beqiri e mohon kategorikisht: Fantazi të sëmura!
“Është studente ekselente, është birësuar nga një çift grek”
Pikërisht kjo deklaratë e avokatit Alban Duraj në media ka tronditur opinionin publik, por gjithashtu dhe nënën e vajzës së zhdukur, e cila prej 16 vitesh kërkon të bashkohet me të bijën.
Avokati i çështjes, Idajet Beqiri, ishte i ftuar këtë të martë (22 shtator), në emisionin “Rudina”, Tv Klan, duke mohuar kategorikisht vërtetësinë e deklaratës së bërë nga kolegu Duraj.
Një gënjeshtër “kryekëput” dhe “fantazi të sëmura” i cilësoi Beqiri këto deklarata, teksa theksoi se janë në dëm të situatës aktuale.
“Kjo deklaratë e djeshme në fakt është një tymnajë në qiell të pastër i themi ne. Është një… s’mund t’i them koleg, e s’më vjen mirë mos t’i them koleg. Nuk punon me mua, s’ka lidhje me mua. Kjo është e keqe, e për t’u bërë protagonistë, për të dalë në dukje që ja unë merrem me çështjen, e të tjera me radhë. Dalin elemente të tillë të papërgjegjshëm, bëjnë deklarata të tilla të cilat janë kryekëput gënjeshtra, fantazi të sëmura. Faktikisht bëjnë dhe dëm, sepse ne kemi një ligj në Kodin Penal, neni 301, që kur e shtrembëron të vërtetën dhe kur e hedh Policinë e Shtetit në një pistë që s’ka lidhje fare. Këtu është një situatë shumë e keqe, shumë e rëndë dhe ka krijuar një tension të panevojshëm, ka rikrijuar se plaga është e hapur”, tha ai.
Edhe me pretendimin se Duraj ka pasur komunikim lidhur me Bleona Matën dhe mundësinë e jetës së saj në Greqi, Beqiri e mohoi diçka të tillë dhe sqaroi se zonja Mata nuk është në gjendje të mirë emocionale.
“Është shokuar komplet, sepse mashtrimi ai e çon në drejtime të rënda, se thotë kam folur me mamanë e Bleonës, në një kohë që s’ka kontaktuar kurrë ndonjëherë me të. Pra ai nuk e njeh atë. Edhe këtë gjë e deklaron vetë ajo. Në këtë drejtim është një çorientim që i jepet opinionit”, tha Beqiri.
Avokati theksoi gjithashtu se deklarata e dhënë nga kolegu i tij është një vepër penale, si dhe nga pikëpamja etike aspak normale.
“Është papërgjegjshmëri e rëndë, është vepër penale. Është krim kundër drejtësisë, dhe nga pikëpamja etike nuk është normale”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.