Pas pritjes së gjatë, dritë jeshile për planin urbanistik të Kodrës së Diellit
Ministria e Transportit dha përgjigje pozitive për planin urbanistik të Kodrës së Diellit, duke hapur rrugën për votimin e tij në Këshillin Komunal të Tetovës dhe për zhvillimin e qendrës turistike.
Pas një pritjeje të gjatë, Ministria e Transportit ka kthyer më në fund përgjigje pozitive për planin urbanistik të Kodrës së Diellit, siç njofton Alsat. Vendimi ka mbërritur pasditen e sotme në Komunën e Tetovës, duke zhbllokuar një proces që kishte mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe duke i dhënë një shtysë të re projektit për këtë destinacion malor.
Sipas njoftimit, në mbledhjen e radhës të Këshillit Komunal pritet të votohet plani detal urbanistik. Miratimi i tij në këshill do të ishte hapi formal që i mungon për t’u zbatuar, pas përgjigjes pozitive të ministrisë.
Miratimi i planit hap rrugën për zhvillimin e Kodrës së Diellit si qendër turistike. Aty janë paraparë investime si në shtëpiza vikendi, ashtu edhe në ndërtimin e kapaciteteve hotelerike. Sipas informatave të Alsat, investimet fillimisht do të jenë individuale, ndërsa më pas pritet përfshirja e investitorëve të huaj, pa përjashtuar as partneritetin publik-privat.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, përmes një postimi në rrjetet sociale. “Tetova dhe potenciali i saj turistik janë gati për një zhvillim të rëndësishëm. Së shpejti më shumë detaje”, ka shkruar Kasami.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.