Borxhet lënë fakultetet pa rrymë, Janevska: Nuk do të ketë ndërprerje të tjera
Ndërprerja e energjisë elektrike në disa fakultete të Universitetit "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup, për shkak të faturave të papaguara, ka nxjerrë në sipërfaqe problemin e borxheve të institucioneve publike; ministrja Janevska thotë se borxhet po shlyhen dhe nuk priten ndërprerje të tjera.
Ndërprerja e energjisë elektrike në disa fakultete të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, si dhe në ndërtesën e Rektoratit, për shkak të faturave të papaguara, ka nxjerrë në sipërfaqe problemin e borxheve të institucioneve publike. Pas disa orësh pa furnizim, energjia elektrike është rikthyer, por sipas burimeve të Alsat, institucioneve u ishte dhënë afat deri të premten për të shlyer borxhet. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, pranoi se ekziston një problem i tillë, por shtoi se nuk priten ndërprerje të tjera dhe se borxhet po shlyhen rregullisht.
“Është e vërtetë se ka borxhe për energjinë elektrike, mirëpo dje në Gazetën Zyrtare u publikua rishikimi i buxhetit. Ne i shlyejmë rregullisht këto borxhe dhe jam thellësisht e bindur se nuk do të kemi probleme të tilla”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Ndërkohë, se sa është borxhi saktë i universitetit dhe sa arrijnë në përgjithësi detyrimet e institucioneve publike, dërguam pyetje edhe në kompaninë EVN. Nga kompania nuk dhanë shifra konkrete, me arsyetimin se nuk mund të publikojë detaje financiare për klientët e saj.
“Lidhur me pyetjet e parashtruara për shumën e përgjithshme të borxheve të institucioneve publike, borxhlinjtë më të mëdhenj nga sektori publik, si dhe borxhin konkret të Universitetit ‘Shën Kirili dhe Metodi’, do të donim të informonim se bëhet fjalë për informacione që rrjedhin nga marrëdhënia afariste midis kompanisë dhe shfrytëzuesve të saj. Për këto arsye, nuk do të mund të ndanim informacione të veçanta për detyrimet financiare të shfrytëzuesve konkretë, përfshirë edhe ato të institucioneve të sektorit publik”, sqaruan nga EVN.
Borxhet e institucioneve publike për energjinë elektrike nuk kanë të bëjnë vetëm me fakultetet e UKIM-it. Sipas burimeve të Alsat, janë evidentuar detyrime të papaguara edhe nga institucione të tjera shtetërore. Sa i përket rastit konkret të UKIM-it, jozyrtarisht mësohet se borxhi arrin deri në 500 mijë euro. Megjithatë, kjo shumë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga EVN-ja, e cila refuzoi të japë të dhëna për detyrimin konkret të universitetit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.