BOTËRORI 2026 – BM-ja kërkon FIFA-s të hetojë Argjentinën për pankartën mbi Ishujt Falkland
– Qeveria britanike i kërkoi sot FIFA-s, të nisë një hetim ndaj ekipit kombëtar të Argjentinës, pasi lojtarët argjentinas u fotografuan duke mbajtur një pankartë ku pretendohej sovraniteti mbi Ishujt e diskutuar Falkland, sipas AP.
Argjentina mundi Anglinë me rezultatin 2-1 në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, të zhvilluar dje në Atlanta.
Pas përfundimit të ndeshjes, gjatë festimeve, disa lojtarë argjentinas morën nga tifozët në tribuna, një pankartë ku shkruhej: “Las Malvinas son Argentinas” – që do të thotë “Malvinat janë argjentinase”.
Argjentina i quan këta ishuj, “Ishujt Malvina”, ndërsa Britania e Madhe i njeh si Ishujt Falkland.
Këto territore janë objekt i një konflikti të gjatë mes dy vendeve. Në vitin 1982, Argjentina i pushtoi ishujt, gjatë regjimit të atëhershëm ushtarak, duke shkaktuar një luftë 10-javore me Britaninë e Madhe, e cila përfundoi me fitoren e kësaj të fundit.
Sekretari britanik i Biznesit, Peter Kyle tha se veprimi i lojtarëve, ishte “krejtësisht i papërshtatshëm” dhe shtoi se pret që FIFA ta hetojë çështjen me kujdes.
Sipas rregullave disiplinore të FIFA-s, organizata mund të ndëshkojë lojtarët argjentinas ose federatën e futbollit të Argjentinës, pasi ndalohet shfaqja në stadium, e çdo mesazhi që nuk lidhet me natyrën sportive të aktivitetit, përfshirë mesazhe me karakter politik, ideologjik, fetar ose fyes.
Për shfaqje të tilla politike, FIFA parashikon gjoba nga 5 -20 mijë dollarë.
FIFA nuk ka bërë ende një koment zyrtar për këtë çështje.
Nuk është hera e parë që, FIFA përballet me një rast të tillë. Në vitin 2014, nën drejtimin e mëparshëm të organizatës, një futbollist i Koresë së Jugut, u pezullua për dy ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës, pasi ngriti një pankartë, me një pretendim territorial ndaj Japonisë gjatë Lojërave Olimpike të Londrës 2012. Pankarta shkruante: “Dokdo është territori ynë”.
Lojtari argjentinas Lisandro Martínez, i cili luan prej katër vitesh në Angli me klubin Manchester United, tha se shfaqja e pankartës kishte shkaktuar emocione të forta. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.