BQE: tregjet duhet të ndihmojnë në disiplinimin e Francës për borxhin e lartë, konsolidimi fiskal është i vonuar
Franca dhe vendet e tjera me borxh të lartë duhet të frenojnë shpenzimet, përndryshe do të përballen me kosto edhe më të larta huamarrjeje, ndërsa tregjet mund të luajnë një rol kyç në disiplinimin e qeverive, tha Banka Qendrore Evropiane, duke sinjalizuar se nuk nxiton të ndërhyjë në tregje, siç njofton Reuters.
Me politikën e brendshme në trazira, Franca nuk ka arritur të frenojë deficitin e saj të fryrë buxhetor dhe investitorët po kërkojnë një prim gjithnjë e më të madh për të financuar borxhin e saj, duke ngritur shqetësime për qëndrueshmërinë e tij. Këto shqetësime janë bërë aq të mprehta sa ekonomistët po diskutojnë nëse BQE-së do t’i duhej ta mbështeste tregun, një ide që banka e ka refuzuar vazhdimisht, duke argumentuar se nuk është detyra e saj të ndihmojë ndonjë shtet të vetëm anëtar.
“Në një perspektivë më afatgjatë, disiplina e tregut mund të ndihmojë në frenimin e cenueshmërive duke dhënë sinjale çmimesh që nxisin politika fiskale të kujdesshme dhe rregullime korrigjuese në kohë”, tha BQE-ja në Rishikimin e Stabilitetit Financiar të publikuar të mërkurën. Por banka e njohu rrezikun dhe veçoi Francën, ku zgjerimi i spread-eve të borxhit sovran nxjerr në pah probleme specifike të vendit dhe pasqyron pjesërisht rrezikun politik lidhur me zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
“Konsolidimi fiskal është i vonuar dhe gjithnjë e më i rëndësishëm në një mjedis ku po rritet prania e investitorëve të levizhuar dhe të ndjeshëm ndaj lajmeve në tregjet e obligacioneve sovrane”, shtoi BQE-ja. Borxhi francez qëndronte në 119 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në mesin e vitit, i treti më i lartë në eurozonë pas Greqisë dhe Italisë, ndërsa deficiti buxhetor pritet të jetë 5.5 për qind e PBB-së këtë vit, më i larti ndër 21 vendet anëtare të eurozonës, sipas Komisionit Evropian.
Sipas BQE-së, emetimi i borxhit sovran në të gjithë bllokun është në nivelin më të lartë që nga pandemia, ndaj vendet konkurrojnë me njëra-tjetrën për investitorë. Edhe firmat amerikane të teknologjisë, që kërkojnë të financojnë investime rekord në inteligjencën artificiale, po marrin hua masivisht në Evropë dhe mund t’i zënë vendin disa shteteve në tregjet e borxhit, ndërsa investitorët e huaj dhe fondet mbrojtëse (hedge funds), që blejnë gjithnjë e më shumë borxh të eurozonës, priren të tërhiqen më shpejt në periudha tensioni dhe mund ta përforcojnë çdo rivlerësim të menjëhershëm të rrezikut sovran.
Çmimet e larta të energjisë i kanë shtyrë gjithashtu qeveritë të ofrojnë subvencione për familjet, por edhe kjo i rëndon buxhetet, sidomos nëse masat mbështetëse nuk hiqen gradualisht. E gjithë kjo ndodh ndërsa inflacioni është i lartë, duke e detyruar BQE-në të rrisë normat e interesit dhe duke i ngritur edhe më tej kostot e financimit. “Në këtë kontekst, një interpretim dhe zbatim rigoroz i rregullave fiskale nga Komisioni Evropian do të jetë thelbësor”, shtoi banka.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.