Përfundon vizita e Jakup Krasniqit, kthehet në Hagë
Vizita humanitare e Jakup Krasniqit në Kosovë ka përfunduar në orën 17:00, ashtu siç ishte paralajmëruar.
Nën shoqërimin e forcave të shumta policore, ai pritet të rikthehet në Hagë, ku po mbahet në paraburgim në kuadër të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara.
Krasniqit i ishte lejuar vizita në Kosovë për arsye bindëse humanitare, me vendim të Trupit Gjykues të Dhomave të Specializuara. Në përgjigjen e saj, Gjykata Speciale kishte bërë të ditur se kjo ishte vizita e 15-të e një personi të paraburgosur në Kosovë, e autorizuar për arsye humanitare.
Megjithatë, gjykata nuk kishte dhënë detaje të tjera për arsyet konkrete të vizitës apo kohëzgjatjen e saj.
Vëllai i Krasniqit kishte bërë të ditur se gjendja shëndetësore e bashkëshortes së tij nuk është stabile dhe se ajo së fundmi ishte trajtuar në Turqi. Ai kishte thënë gjithashtu se nuk po lejohej ta takonte vëllain, nga frika se kjo mund të ndikonte në anulimin e vizitës.
Kjo ishte hera e dytë që Jakup Krasniqi vizitonte Kosovën gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim në Hagë. Herën e parë, atij i ishte lejuar të vinte në vendlindje pas vdekjes së vëllait të tij.
Gjatë qëndrimit të tij, disa aktivistë të organizatës “Liria ka emër” kishin shkuar për ta pritur para shtëpisë. Çlirim Haziri kishte thënë se bëhej fjalë për një grup të vogël që dëshironte ta shihte Krasniqin, duke shtuar se do të largoheshin nëse një gjë e tillë u kërkohej.
Jakup Krasniqi, njëri nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është dënuar në shkallën e parë me 25 vjet burgim për krime lufte nga Dhomat e Specializuara në Hagë./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.