BRAZIL – Protestë para selisë së “Meta”-s kundër ndikimit të platformave në zgjedhje
– Qindra protestues, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe lëvizjeve shoqërore u mblodhën dje përpara selisë së kompanisë “Meta” në Sao Paulo të Brazilit, duke kundërshtuar atë që e cilësojnë si ndërhyrje të kompanisë në procesin zgjedhor dhe kufizim të përhapjes së përmbajtjeve politike në rrjetet sociale, sipas “Reuters”.
Protesta u zhvillua në rrugën “Faria Lima”, ku demonstruesit mbanin pankarta dhe flamuj, si dhe brohorisnin slogane kundër kompanisë, e cila zotëron platformat “Facebook”, “Instagram” dhe “WhatsApp”.
Ata kërkuan më shumë transparencë dhe përgjegjësi për mënyrën se si trajtohen përmbajtjet politike gjatë fushatës zgjedhore.
Organizatorët pretendojnë se disa përmbajtje politike dhe llogari në rrjetet sociale, janë përballur me kufizime të padrejta, duke ndikuar në dukshmërinë e mesazheve të publikuara gjatë fushatës.
Ata kërkojnë që kompania të shpjegojë kriteret që përdor për të kufizuar ose hequr përmbajtjet dhe të garantojë trajtim të barabartë për kandidatët.
Slogani kryesor i protestës ishte “Meta”, mos ndërhy!”, ndërsa organizatorët thanë se donin t’i dorëzonin kompanisë një dokument me kërkesat e tyre.
Sipas raportimeve të medieve braziliane, përfaqësuesit nuk arritën ta dorëzonin zyrtarisht dokumentin në selinë e kompanisë dhe njoftuan se do ta dërgonin atë në rrugë elektronike.
Protesta u zhvillua në një periudhë tensionesh për rolin e platformave digjitale në zgjedhjet presidenciale të Brazilit.
Fushata e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva ka akuzuar “Meta”-n se kufizimet në shpërndarjen e disa përmbajtjeve dhe funksionimi i sistemeve të saj, favorizuan kandidatin kundërshtar Flavio Bolsonaro.
Gjykata më e lartë zgjedhore e Brazilit, i ka kërkuar “Meta”-s të garantojë trajtim të barabartë për kandidatët.
Kompania, nga ana e saj, ka mohuar se ka vepruar me prirje politike, duke argumentuar se problemet e evidentuara, lidhen me defekte teknike dhe zbatimin e rregullave të saj, jo me përpjekje për të favorizuar një kandidat.
Organizatat protestuese kërkojnë që “Meta” të bëjë të qarta mënyrat se si algoritmet dhe sistemet e inteligjencës artificiale, ndikojnë në shpërndarjen e përmbajtjeve politike, si dhe të vendosë mekanizma më transparentë për shqyrtimin e ankesave gjatë fushatës zgjedhore. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.