Britani, thirrje për legalizimin e hashashit
Një grup deputetësh britanikë, me në krye Nick Clegg, ish zv.kryeministër dhe Norman Lamb, ish-ministër i Shëndetësisë, kanë bërë thirrje që nën shembullin e Shteteve të Bashkuara, edhe Britania e Madhe të liberalizojë kanabisin.
Deputetët thonë se politika tradicionale e luftës kundër hashashit ka dështuar në parandalimin e tij dhe për më tepër nxit krimin e organizuar, vrasjet dhe korrupsionin.
Ky qëndrim i tyre mbështetet edhe nga disa studime amerikane, që kanë arritur në përfundimin se në shtetet që kanë marrë vendimin e liberalizimit të tij, ka patur një ulje të numrit të krimeve ekstreme.
Një tjetër, arsye sipas Clegg dhe Lamb është edhe përfitimi. Nga legalizimi ata thonë se ekonomia britanike do të zgjerohej me rreth 10 miliardë euro në vit, nga të cilat 1 deri në 1.5 miliardë do të ishin përfitime direkt në buxhetin e shtetit në formën e taksës mbi këtë produkt.
“Politikanët britanikë duhet të hapin sytë dhe të shohin se çfarë po ndodh në pjesët e tjera të botës. Ndalimi i kanabisit po flaket tutje masivisht dhe po zëvendësohet me lejimin e tij në mënyrë të kontrolluar”, deklaron Clegg.
Konservatori Michael Fabricant shkoi më tej duke e krahasuar ndalimin e kanabisit në ditët moderne të njëjtë me ndalimin e alkoolit në Shtetet e Bashkuara në vitet 1920-1933 të shekullit të kaluar.
“Nuk ka asnjë pikë dyshimi se ndalimi i alkoolit dështoi. Ky vendim krijoi gangsterë”, thotë ai.