BRUKSEL – 122 eurodeputetë kërkojnë përdorimin e aseteve ruse të ngrira për Ukrainën
– Një grup prej 122 eurodeputetësh nga grupime të ndryshme politike i kanë kërkuar drejtuesve të Bashkimit Evropian të rihapin debatin për përdorimin e aseteve ruse të ngrira për të mbështetur Ukrainën, shkruan euronews.com.
Kërkesa vjen në një moment kur Kievi përballet me një mungesë prej rreth 23 miliardë eurosh në financimin e mbrojtjes, ndërsa vendet anëtare të BE-së ngurrojnë të angazhojnë fonde të reja nga buxhetet e tyre kombëtare.
Në një letër drejtuar drejtuesve të institucioneve evropiane, eurodeputetët argumentojnë se Rusia duhet të paguajë për dëmet e shkaktuara nga lufta në Ukrainë.
Ata mbështesin gjithashtu një nismë të ndërmarrë në fund të gushtit nga katër vende të BE-së për të zhbllokuar asetet ruse të ngrira.
Bashkimi Evropian mban mbi 200 miliardë euro në asete ruse të ngrira, pjesa më e madhe e të cilave ndodhet në Belgjikë. Komisioni Evropian kishte propozuar një plan për përdorimin e tyre në formën e një huaje me interes zero për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës.
Megjithatë, shqetësimet për rreziqet ligjore kanë penguar vendet anëtare të arrijnë një marrëveshje.
Për këtë arsye, propozimi nuk mori miratimin e nevojshëm në një samit të liderëve evropianë në Bruksel.
Në fillim të këtij viti, BE-ja miratoi përfundimisht një paketë financiare prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.
Eurodeputetët paralajmërojnë se kjo shumë nuk do të jetë e mjaftueshme, ndërsa dëmet e shkaktuara nga lufta vlerësohen tashmë në mbi 600 miliardë euro.
Në letrën e mbështetur nga eurodeputetë të Partisë Popullore Evropiane, Renew Europe, Socialistëve dhe Demokratëve, të Gjelbërve/ALE, Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë dhe grupit The Left, kërkohet që institucionet e BE-së të rikthejnë në tryezë çështjen e aseteve ruse.
Nisma është promovuar nga eurodeputetët liberalë Karin Karlsbro, Nathalie Loiseau dhe Petras Auštrevičius.
Letra i drejtohet presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, komisionerit për Ekonominë, Valdis Dombrovskis, presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, si dhe kryeministrit irlandez Micheál Martin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.