BRUKSEL – BE-ja thërret ambasadorin rus pas shkeljes së hapësirës ajrore të Rumanisë
BRUKSEL, 28 korrik /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian ka thirrur për shpjegime të dërguarin diplomatik të Moskës në Bruksel, pas hyrjes së një droni rus në hapësirën ajrore të Rumanisë, javën e kaluar.
“Ne shprehëm dënimin tonë të fortë për shkeljen e qëllimshme të hapësirës ajrore të Rumanisë”, tha sot një zëdhënës i shefes së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.
Rumania ndan me Ukrainën një kufi prej rreth 600 kilometrash. Ukraina, prej më shumë se katër vitesh, po përballet me pushtimin rus.
Sipas zëdhënësit, ky “veprim i pamatur” përbën një përshkallëzim shumë serioz nga ana e Rusisë dhe kërcënon sigurinë e qytetarëve të BE-së, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas u ka propozuar gjithashtu vendeve anëtare të BE-së, miratimin e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, si për shkeljet e hapësirës ajrore, ashtu edhe për sulmin rus, që dëmtoi konsullatën e nderit të Letonisë, në lindje të Ukrainës.
“Rumania dhe Letonia kanë solidaritetin dhe mbështetjen tonë të plotë”, deklaroi zëdhënësi i BE-së. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.