BRUKSEL – BE: Mbështesim ICC-në përballë sanksioneve amerikane
BRUKSEL, 9 tetor /ATSH-AFP/ – Bashkimi Evropian dënoi sot sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), duke i cilësuar ato si “thellësisht të keqardhshme”, dhe u zotua të ndihmojë institucionin të vijojë punën e tij.
“Është thellësisht e keqardhshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar synimin për të vendosur sanksione dhe BE-ja është e gatshme të marrë të gjitha masat e nevojshme për t’i mundësuar Gjykatës të vijojë punën”, deklaroi Komisioni Evropian në një komunikatë.
Qeveria amerikane njoftoi sot vendosjen e sanksioneve ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, një institucion me seli në Hagë, në Holandë.
Uashingtoni i justifikon këto masa me synimin për të “mbrojtur sovranitetin amerikan dhe qytetarët e tij nga kërcënimi që përbën Gjykata Penale Ndërkombëtare”, sipas Departamentit të Shtetit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gjithashtu të indinjuara për shkak se Gjykata lëshoi një urdhërarresti ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, një aleat i afërt i Uashingtonit, për krime të dyshuara të kryera në Rripin e Gazës.
Sipas sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, Uashingtoni synon t’ia ndërpresë GJPN-së burimet financiare dhe “të kufizojë aftësinë e saj për të funksionuar”.
Në reagim ndaj këtyre sanksioneve, Komisioni Evropian u zotua të punojë “në bashkëpunim të ngushtë me GJPN-në, për të garantuar vijimin e funksionimit të saj në mënyrë efikase”.
BE-ja nuk sqaroi nëse po shqyrton aktivizimin e të ashtuquajturit “mekanizëm bllokues”, i cili synon të mbrojë operatorët evropianë, individë dhe kompani, nga efektet e sanksioneve me shtrirje ekstraterritoriale të vendeve të treta.
Ky mekanizëm do t’u ndalonte kompanive evropiane, përfshirë bankat, t’u nënshtroheshin sanksioneve amerikane, qoftë përmes veprimeve të drejtpërdrejta apo mosveprimit të qëllimshëm.
Në këtë mënyrë, BE-ja do të kishte një instrument për të zbutur disa nga efektet e masave amerikane.
Mekanizmi bllokues i BE-së konsiderohet si “opsioni bërthamor”, theksoi ministri i Jashtëm holandez, Tom Berendsen, duke shtuar se Holanda i ka kërkuar Brukselit që të përgatitet për aktivizimin e tij. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.