Edhe një tribunë e Listës Studentore ndalohet në Republikën Serbe, pa shpjegim
Studentët në bllokadë njoftojnë se edhe një tribunë e listës së tyre në Republikën Serbe u ndalua pa asnjë shpjegim zyrtar.
Edhe një tribunë e Listës Studentore është ndaluar në Republikën Serbe, pa asnjë shpjegim zyrtar. Siç njofton portali serb Danas, bëhet fjalë për tribunën me temë “Mladi kao učesnici u društvenim tokovima” (Të rinjtë si pjesëmarrës në rrjedhat shoqërore), e organizuar nga studentët në bllokadë që kanë kandiduar listën zgjedhore “Studentska lista – Studenti pobeđuju”. Lajmi u bë publik mbrëmjen e sotme, më 9 tetor.
Sipas raportimit të Danas, studentët kanë shkruar në rrjetin social Instagram se tribuna ishte regjistruar në kohë dhe se ishin dorëzuar të gjitha të dhënat e kërkuara. Kur lokacioni i zgjedhur nuk u përshtat, ata e ndryshuan atë; kur mungonte një dokument, e dorëzuan menjëherë. “Dhe sërish u përplasëm me mur. Sepse problemi nuk është as në lokacion, as në dokumentacion, as në procedurë. Problemi është në papërshtatshmëri”, shkruajnë ata.
Studentët e kanë cilësuar ngjarjen si sabotim të vazhdueshëm institucional të tribunave studentore, duke shtuar se përgjigjja e vetme që morën ishte se askush nuk mund t’u garantojë sigurinë gjatë ngjarjes.
Në reagimin e tyre, siç transmeton Danas, ata theksojnë: “Nga populli ynë nuk na duhet mbrojtje. E aq më pak e juaja. Ekziston vetëm një ndarje. Ajo nuk është as gjeografike, as administrative, por më e qartë se kurrë: Serbia ose mafia.” Tribuna e ndaluar është vetëm e fundit në një seri pengesash me të cilat po përballen studentët në fushatën e tyre zgjedhore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.