Europa

Brukseli vazhdon i bllokuar, “terroristi” kryesor ende në arrati

Policia belge ka akuzuar të hënën një person për përfshirje në sulmet vdekjeprurëse në Paris, ka bërë të ditur prokurori federal.

I akuzuari është njëri nga pesë personat e arrestuar në bastisjet e së dielës. Dy janë liruar, ndërsa të tjerët vazhdojnë të hetohen.

Pesëmbëdhjetë persona të tjerë që kanë qenë në mbajtje, janë liruar po ashtu, ka thënë prokurori.

Policia në Belgjikë është në kërkim të të dyshuarit kryesor të sulmeve në Paris.

Zëdhënësi i prokurorit federal të Belgjikës, Eric Van Der Sypt, ka thënë se Salah Abdeslam nuk është në mesin e të arrestuarve deri më tash.

Zyrtarët belgë nuk kanë dhënë detaje për identitetin e të arrestuarve dhe as akuzat specifike ndaj tyre, duke thënë se një gjë e tillë “është në interes të hetimeve” që po vazhdojnë.

Ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon, ka thënë se kërcënimi aktual në Belgjikë është më i madh se ai që paraqet Abdeslam.

“Është një kërcënim që shkon përtej një personi të vetëm”, ka thënë ai.

Burime të sigurisë belge kanë thënë se besojnë se Abdeslam po merr ndihmë nga rrjetet xhihadiste, për t’iu shmangur kapjes, pavarësisht faktit se i arratisuri u ka thënë miqve të tij në Skype se grupi militant i Shtetit Islamik nuk është i kënaqur me të, pasi ai nuk e ka shpërthyer rripin vetëvrasës në Paris.

Brukseli është vënë nën alarmin më të lartë të kërcënimit të sigurisë. Qytetet e tjera belge janë në nivelin e tretë, nga tabela prej katër nivelesh.

Kryeministri belg, Charles Michel, ka paralajmëruar se caqe të sulmeve terroriste mund të jenë qendrat tregtare, rrugët me dyqane, ose transporti publik.

Ai u ka thënë gazetarëve se autoritetet druajnë për “një sulm të ngjashëm me ato në Paris”.

Sistemi i metrosë i Brukselit, ashtu si edhe të gjitha shkollat dhe universitetet sot kanë qenë të mbyllura. Kryeministri Michel ka thënë se ato do të rihapen të mërkurën.

Forca shtesë të sigurisë janë vënë në trena, stacione hekurudhore dhe aeroporte.

Kryetari i Brukselit ka urdhëruar po ashtu restorantet dhe kafenetë në qytet që të mbyllen, ashtu si edhe qendrat tregtare dhe ndërtesat publike.

Militantët e Shtetit Islamik kanë marrë përgjegjësinë për sulmet në Paris, të cilat kanë vrarë 130 veta.

Brukseli ka qenë në qendër të hetimeve prejse është zbuluar se dy sulmues që kanë hedhur veten në erë në Paris, kanë jetuar në Belgjikë.

Një tjetër sulmues i Parisit, Abdelhamid Abaaoud, ka qenë belg, me prejardhje marokene.

Mediat franceze kanë raportuar se nëntë militantë kanë kryer sulmet në Paris më 13 nëntor dhe se shtatë prej tyre kanë vdekur.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, do të të takojë këtë javë presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë, për të diskutuar luftën kundër terrorizmit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button