BULLGARI – Iliana Jotova kryeson në zgjedhjet presidenciale
– Presidentja në detyrë e Bullgarisë, Iliana Jotova, kryeson në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, bëjnë të ditur dy exit poll-e të publikuara pas mbylljes së votimit sot, sipas Reuters.
Jotova ka siguruar rreth 51 për qind të votave, ndërsa rivali i saj, ish-kryeministri i përkohshëm Andrei Gyurov, ka marrë nga 43 deri në 45 për qind.
Rezultatet përfundimtare zyrtare pritet të shpallen nesër, pasi të përfundojë numërimi i fletëvotimeve.
Pjesëmarrja në zgjedhje vlerësohet nga 27 deri në 29 për qind, disi më e lartë se në raundin e parë të 25 tetorit, kur u regjistrua pjesëmarrja rekord e ulët prej 23 për qind.
Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë shqetësimi për sigurinë në Detin e Zi, pas një serie sulmesh me dronë ndaj anijeve tregtare pranë brigjeve bullgare.
Dhjetra marinarë dyshohet se kanë humbur jetën, ndërsa sulmet kanë nxitur reagime ndërkombëtare dhe kanë bërë që qeveria bullgare të kërkojë ndihmë nga aleatët për forcimin e sigurisë detare.
Jotova, 61 vjeçe, mori drejtimin e presidencës në janar, pas dorëheqjes së Rumen Radevit, i cili u largua për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare.
Ajo mbështetet nga forcat politike të Radevit dhe ka deklaruar se synon një Bullgari të fortë brenda Evropës, por me një politikë të jashtme të pavarur.
Ndërsa Gyurov, 50 vjeç, mbështetet nga partitë reformiste dhe pro-perëndimore dhe ka shprehur vazhdimisht mbështetjen për Ukrainën.
Të dy kandidatët kanë dënuar sulmet ndaj anijeve në Detin e Zi dhe janë shprehur në favor të një zgjidhjeje diplomatike të luftës në Ukrainë.
Nëse konfirmohet epërsia e saj nga rezultatet zyrtare, Jotova do të bëhet presidentja e parë e zgjedhur grua në historinë e Bullgarisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.