BULLGARI – Shpërthim i ri në një magazinë armësh, i dyti brenda pak javësh
– Një shpërthim shkaktoi një zjarr gjatë natës në një qendër magazinimi armësh në Bullgarinë qendrore, pranë fshatit Tsareva Livada, njoftuan sot autoritetet lokale dhe mediat bullgare, sipas Reuters.
Ky është incidenti i dytë në një objekt municionesh brenda pak javësh.
Flakët dhe tymi u panë gjatë natës dhe ndriçuan qiellin, ndërsa pamjet e incidentit u transmetuan nga mediet lokale.
Guvernatorja e rajonit të Gabrovos, Kristina Sidorova, tha se zjarri kishte përfshirë territorin e bazës së magazinimit dhe po përhapej nga një depo në tjetrën.
Sipas medieve lokale, objekti i përket kompanisë EMCO, e cila merret me tregtinë dhe magazinimin e armëve.
Kompania kishte përjetuar një tjetër shpërthim në një prej objekteve të saj muajin e kaluar.
EMCO drejtohet nga tregtari bullgar i armëve Emilian Gebrev.
Prokurorët bullgarë kanë pretenduar më herët se Gebrev ka qenë objektiv i sulmeve të lidhura me operativë rusë.
Në vitin 2024, Bullgaria lëshoi urdhër-arreste për gjashtë shtetas rusë, të akuzuar për përfshirje në shpërthimet që shkatërruan depo armësh të EMCO-së gjatë periudhës 2011–2020.
Në atë kohë, depot përmbanin municione të destinuara për eksport drejt Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
Prokurorët bullgarë thanë gjithashtu se mund të kishte lidhje mes shpërthimeve në Bullgari, një tentative helmimi ndaj Gebrevit në vitin 2015 dhe shpërthimeve në depot e municioneve në Republikën Çeke në vitin 2014.
Moska i ka hedhur poshtë akuzat.
Deri tani se autoritetet bullgare nuk kanë përcaktuar një shkak për shpërthimin e fundit apo se incidenti është lidhur zyrtarisht me sabotim.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.