FOKUS – Italia nën sulme kibernetike, në shënjestër Tajani dhe tuneli i Brennerit
– Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, deklaroi sot se është bërë objektiv i sulmeve kibernetike për shkak të mbështetjes së Italisë ndaj Ukrainës, sipas Euronews.
Në një reagim në rrjetet sociale, ai tha se prej disa ditësh persona të paidentifikuar po shpërndajnë të dhënat e tij personale në rrjetin e errët (Dark Web).
Sipas Tajanit, hakerët po përpiqen të sigurojnë informacione të tjera, duke e ekspozuar atë ndaj kërcënimeve dhe përpjekjeve për intimidim.
Ai bëri të ditur se sulmet kanë përfshirë edhe familjarët e tij.
Ministri theksoi se qëndrimi i Italisë në mbështetje të Ukrainës është arsyeja politike e këtij sulmi, duke shtuar se mbrojtja e lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së një shteti sovran është bërë objektiv i këtyre grupeve kriminale.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shprehu mbështetjen e saj për Tajanin, duke deklaruar se publikimi ose shitja e informacioneve konfidenciale për zyrtarët publikë është një çështje shqetësuese, e cila duhet trajtuar me vendosmëri maksimale.
Ndërkohë, një tjetër sulm kibernetik ka goditur kompaninë BBT SE, përgjegjëse për projektin e tunelit bazë të Brennerit, një lidhje hekurudhore prej 55 kilometrash që do të bashkojë Insbruckun në Austri me Fortezën në Itali.
Kompania konfirmoi se sulmi ndodhi më 17 tetor, duke bërë të ditur se aktivizoi menjëherë protokollet e sigurisë kibernetike, izoloi sistemet e prekura dhe angazhoi specialistë të jashtëm për hetimin teknik të incidentit.
Sipas raportimeve, nga rrjeti i kompanisë, i lidhur me internetin, janë vjedhur të dhëna jo publike.
Gazeta austriake “Tiroler Tageszeitung”, e cila raportoi e para për sulmin, bëri të ditur se hetimet paraprake kanë orientuar dyshimet drejt një grupi hakerash pro-rusë, të njohur me emrin “Everest”. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.