Buxheti 2027/ Malaj: 75.4 miliardë lekë për infrastrukturën dhe energjinë, rritje me 17% për buxhetin vendor
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Konferencën e Kryetarëve projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”, së bashku me projektligjet financiare, duke ndalur edhe te investimet e parashikuara në infrastrukturë, energji, mbrojtje dhe financimin e pushtetit vendor.
Për infrastrukturën dhe energjinë, fondi i parashikuar është 75.4 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet në këta sektorë llogariten në 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Sipas Malajt, një pjesë e investimeve do të përqendrohet te rrjetet e ujësjellës-kanalizimeve në disa bashki si dhe në infrastrukturën rrugore.
Një tjetër zë i rëndësishëm i buxhetit të vitit të ardhshëm është mbrojtja. Për këtë sektor parashikohen që shpenzimet të arrijnë në 2.35% e PBB-së.
“Shpenzimet për infrastrukturën dhe energjinë do të jenë 2.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me një fond total prej 75.4 miliardë lekësh. Ndër politikat kryesore do të jenë ndërtimi i rrjeteve të ujësjellës-kanalizimeve në bashkitë Mat, Memaliaj, Sarandë, Fier, Lezhë, Shkodër dhe Velipojë, rikonstruksioni i linjave ekzistuese në Kukës dhe qytete të tjera, si dhe ndërtimi i depos së ujit në Bashkinë e Tiranës.
Do të vijojnë investimet në akset rrugore Elbasan–Lekaj, bypass-in e Elbasanit, aksin Elbasan–Qafë Thanë, zgjerimin e autostradës Tiranë–Durrës, bypass-in e Tiranës dhe rrugën Tiranë–Ndroq–Peqin.
Në fushën e mbrojtjes, do të vijojmë të financojmë modernizimin e Forcave të Armatosura (FA) dhe përmbushjen e angazhimeve në NATO. Për vitin 2027, parashikohen 76.7 miliardë lekë për mbrojtjen, ose 2.35% e PBB-së. Këto investime synojnë forcimin e kapaciteteve të vendit”, tha Malaj.
Sa i përket pushtetit vendor, buxheti për vitin 2027 parashikohet të arrijë në 114.6 miliardë lekë, me një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2026.
“Shpenzimet për buxhetin vendor do të jenë 114.6 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2026. Nga kjo shumë, 58.6 miliardë lekë do të vijnë nga të ardhurat e vetëqeverisjes vendore, ndërsa 56 miliardë lekë do të financohen nga buxheti i shtetit”, tha Malaj.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.