Cakolli ngre pikëpyetje për konstituimin e Kuvendit: Duhet të dërgohet sa më parë në Gjykatën Kushtetuese
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas përfundimit të procesit të konstituimit të Kuvendit, duke ngritur dilema për mënyrën se si është interpretuar mospropozimi i nënkryetarit nga një subjekt politik.
Cakolli ka vënë në pikëpyetje arsyetimin se mospropozimi i nënkryetarit në dy vazhdime të seancës mund të konsiderohet si “mosushtrim i së drejtës së propozimit”.
Ai ka rikujtuar se edhe për postin e kryetarit të Kuvendit, sipas tij, kishte pasur po aq raste kur nuk ishte bërë propozimi, ndërsa procesi kishte çuar edhe në tejkalimin e afatit kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
“Çka me i bo faktit që po aq herë nuk ishte propozuar as Kryetari i Kuvendit – duke çu madje edhe në shkeljen e afatit kushtetues 30-ditor për konstituim?”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka ngritur pikëpyetje edhe për mosvazhdimin e seancës konstituive për javë të tëra, pavarësisht, siç thotë ai, afatit procedural prej 48 orësh.
Sipas Cakollit, për shkak të këtyre çështjeve, situata duhet të dërgohet sa më shpejt në Gjykatën Kushtetuese.
“Ka qenë dhe mbetet e domosdoshme që krejt kjo situatë të referohet sa më parë në Gjykatën Kushtetuese”, ka deklaruar ai.
Cakolli ka thënë se Gjykata Kushtetuese duhet jo vetëm të konstatojë shkeljet eventuale, por edhe të përcaktojë pasojat e tyre, në mënyrë që të shmanget, siç e quan ai, “praktika e hajgareve me afatet strikte kushtetuese”.
Ai ka paralajmëruar se nevoja për një vendim të Gjykatës është edhe më e madhe pas zhvillimeve të fundit, pasi një seancë konstituive juridikisht e kontestueshme, sipas tij, mund të prodhojë pasoja edhe në procedurat kushtetuese që pasojnë.
“Një seancë konstituive juridikisht e kontestueshme mund të prodhojë pasoja të pariparueshme edhe për procedurat kushtetuese që vijnë më pas”, ka shkruar Cakolli. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.