Camaj: Mandatet e garantuara nuk i kushtëzojmë me ndryshimet kushtetuese as me ligjet evropiane
Deputeti i Forumit Shqiptar dhe nënkryetari i Kuvendit, Nikolla Camaj, thotë se pakicat e mbështesin pa kushte rrugën evropiane të Malit të Zi, por do të bëjnë gjithçka që partitë shqiptare të kenë katër mandate të garantuara në Kuvend.
Rregullimi i çështjes së mandateve të garantuara deputetësh nuk i kushtëzon ndryshimet kushtetuese, as miratimin e ndonjë ligji që i kontribuon rrugës evropiane të Malit të Zi, ka deklaruar deputeti i Forumit Shqiptar dhe nënkryetari i Kuvendit, Nikolla Camaj, siç njofton Portal Analitika, duke e cituar deklaratën e tij për Portalin e RTCG-së.
Camaj ka theksuar se do të bëjë gjithçka që të sigurohen katër mandate të garantuara për partitë shqiptare, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një çështje barazie dhe respektimi të marrëveshjeve të arritura, e jo për tregti politike. Sipas tij, popujt pakicë mbeten të përkushtuar pa kushte ndaj rrugës evropiane të shtetit.
“Pa kushtëzime, pakicat e mbështetën pavarësinë e Malit të Zi dhe anëtarësimin në NATO. Po ashtu, japim mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, ndërsa ministrat tanë nga Forumi Shqiptar morën pjesë në mbylljen e gati gjysmës së kapitujve negociues që i ka mbyllur qeveria aktuale”, ka thënë Camaj, sipas raportimit të Portal Analitika.
Ai ka vlerësuar se legjislacioni aktual zgjedhor nuk është mjaftueshëm i drejtë dhe prodhon efekte diskriminuese, veçanërisht ndaj popullit shqiptar. Ndryshimin e tij Camaj nuk e sheh si tregti politike, por si çështje besimi, barazie dhe marrëveshjeje serioze politike, ndërsa përfaqësimi i deputetëve është diskutuar që nga formimi i shumicës aktuale parlamentare, përmes një komisioni të posaçëm, puna e të cilit u ndal me largimin e opozitës nga procesi.
“Barazia nuk matet me numër, por me të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë”, ka porositur Camaj, duke shtuar se shumica aktuale parlamentare e njeh rëndësinë e këtyre çështjeve. Sipas tij, pakicat, ashtu si partnerët e tjerë të shumicës, duhet të jenë njerëz të fjalës dhe t’i respektojnë marrëveshjet e arritura.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.