CAMAJ PDS-së: MOS PRITNI MBËSHTETJEN TONË DERISA TË DISTANCOHENI NGA “FLUTURIMI I SHQIPONJËS”
Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj, ka deklaruar se nuk do ta mbështesë iniciativën e Partisë Demokratike të Socialistëve për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, duke porositur se nuk mund të votojë për propozimin e një partie e cila, siç tha ai, nuk është distancuar nga veprimet ndaj shqiptarëve, përfshirë rastin “Fluturimi i Shqiponjës”.
“Nuk mund ta mbështes dhe kurrë nuk do ta mbështes diçka që vjen nga një parti e cila nuk di të distancohet nga ajo që u bë ndaj shqiptarëve vetëm pak muaj pas mbështetjes së referendumit. Merre me mend të mbështes diçka që vjen nga ajo anë,” tha Camaj gjatë seancës parlamentare.
Ai theksoi se është konsistent në qëndrimin e tij dhe kujtoi disa raste në të cilat, sipas tij, janë dënuar qytetarët për shkak të vendosjes së simboleve shqiptare.
“Unë jam konsistent sepse nuk mund të mbështes propozimet e partisë që ka dënuar djalin i cili vendosi flamurin shqiptar në shtëpinë e re që po ndërtonte, gjë që e bëjmë të gjithë. Ka dënuar edhe maturantët që erdhën nga Shkodra për të festuar mbrëmjen e maturës në Budvë dhe u fotografuan me flamurin shqiptar. Janë kthyer mbrapsht me autobus dhe janë dënuar,” tha Camaj.
Sipas fjalëve të tij, mosdistancimi nga veprime të tilla përbën jokonsistencë.
“Të mos distancohesh nga gabimet e bëra, mendoj se kjo është jokonsistencë. Përderisa nuk distancoheni nga ‘Fluturimi i Shqiponjës’, mos pritni mbështetjen tonë,” porosi Camaj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.