ÇEKI – Moti i keq shkakton mbi 600 aksidente, 26 mijë familje pa ngrohje në Pragë
PRAGË, 27 nëntor /ATSH-DPA/- Më shumë se 600 incidente, përfshirë aksidente rrugore, pemë të rrëzuara dhe kamionë të bllokuar, u regjistruan dje dhe sot në Çeki, pasi reshjet e papritura të dëborës, shkaktuan vështirësi në qarkullim dhe qindra aksidente.
Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë në të gjithë vendin, për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve dhe për të përballuar pasojat e motit të keq.
Një zëdhënëse e autoriteteve u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike.
Ndërkohë, mjetet për hedhjen e kripës dhe pastrimin e dëborës punuan pa ndërprerje në autostrada dhe rrugët shtetërore.
Brenda 24 orëve u përdorën më shumë se 4,600 tonë kripë për mirëmbajtjen e rrugëve, bëri të ditur Drejtoria e Rrugëve dhe Autostradave.
Reshjet e dendura të dëborës shkaktuan gjithashtu vonesa prej disa orësh në Aeroportin Ndërkombëtar “Václav Havel” të Pragës.
Probleme u regjistruan edhe në furnizimin me ngrohje.
Rreth 26 mijë familje në kryeqytet mbetën përkohësisht pa ngrohje dhe ujë të ngrohtë, në kushtet e temperaturave nën zero gradë Celcius, për shkak të një defekti në një tubacion të rrjetit të ngrohjes qendrore. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.