ÇEKI – Opozita mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Babis
PRAGË, 30 shtator /ATSH-AFP/ – Kryeministri çek, Andrej Babis përballet sot me një mocion mosbesimi të paraqitur nga opozita, e cila e akuzon për konflikt të vazhdueshëm interesi dhe kundërshton projektbuxhetin për vitin 2027, të cilin e konsideron tepër deficitare.
Babis u rikthye në pushtet në dhjetor 2025, pas mandatit të tij të parë si kryeministër nga 2017 deri në 2021, i cili ishte shoqëruar edhe atëherë me akuza për konflikt interesi.
Ai ka njoftuar transferimin e administrimit të “Agrofert”, grupit të industrisë ushqimore dhe kimike që i krijoi pasurinë, te fondi “RSVP Trust”, me një administrator të pavarur në drejtim.
Sipas Babis, kjo e vendos atë në përputhje të plotë me ligjin çek.
Megjithatë, Komisioni Evropian e ka konsideruar këtë masë të pamjaftueshme.
Në fillim të shtatorit, Komisioni pezulloi pagesën e 3,18 milionë eurove nga fondet e BE-së për grupin.
Kreu i partisë opozitare të djathtë ODS, Martin Kupka, e ka akuzuar Babisin se “ka gënjyer të gjithë” kur deklaroi se kishte zgjidhur konfliktin e interesit.
Edhe “Transparency International” ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të trustit.
Sipas organizatës, dokumentet e publikuara tregojnë se, ndryshe nga deklaratat e Babiš se transferimi i “Agrofert” ishte “i pakthyeshëm” dhe se katër fëmijët e tij do ta trashëgonin vetëm pas vdekjes së tij, administrimi mund t’u kalojë tre prej tyre sapo ai të largohet nga qeveria.
Kjo, sipas organizatës, teorikisht do t’u mundësonte atyre ta rikthenin babanë e tyre në drejtimin e kompanisë.
Mocioni i mosbesimit u paraqit të premten nga të gjitha partitë kryesore opozitare: ODS, STAN, Piratët, KDU-ČSL dhe TOP 09.
Opozita kundërshton gjithashtu projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parashikon një deficit prej 386 miliardë korunash çeke, rreth 15,8 miliardë euro.
Sipas tekstit, ky do të ishte deficiti i dytë më i madh në historinë e Republikës Çeke, ndërsa ekonomia është në rritje dhe inflacioni është nën 2%.
Opozita kritikon gjithashtu ato që i konsideron sulme ndaj mediave dhe institucioneve të pavarura.
Gjatë debatit të djeshëm parlamenta, Kupka paralajmëroi kundër shndërrimit të vendit në një “Babistan”.
Mocioni vjen më pak se dy javë para zgjedhjeve lokale dhe atyre për Senatin.
Sipas analistit Josef Mlejnek nga Universiteti i Pragës, mocioni ka pak gjasa të miratohet. Babis, së bashku me aleatët e tij SPD dhe partinë nacionaliste ”La Voix des automobilistes”, kontrollon 108 nga 200 vendet në parlament. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.