“Certifikimi i rezultateve deri në fund të kësaj jave”, ja kur do të thirret seanca konstituive
Gjykata Supreme pritet të vendosë brenda dy ditëve të ardhshme për dy ankesat e paraqitura nga kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Përfundimi i këtij procesi konsiderohet vendimtar për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit dhe nisjen e procedurave për krijimin e institucioneve të reja, raporton KosovaPress.
Megjithëse nga Gjykata Supreme nuk kanë bërë të ditur për KosovaPress nëse vendimi do të merret para skadimit të afatit ligjor, njohësit e proceseve zgjedhore vlerësojnë se, nëse nuk kërkohet rinumërim apo ndonjë veprim tjetër nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), certifikimi i rezultateve mund të bëhet deri në fund të kësaj jave.
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Qemajl Marmullakaj, thotë se Gjykata Supreme nuk është e obliguar ta shfrytëzojë tërë afatin ligjor për vendimmarrje.
“Certifikimi i rezultateve duhet të ndodhë brenda afateve të parapara ligjore. Nëse Gjykata Supreme nxjerr vendimin ku nuk kërkon veprime shtesë nga ana e KQZ-së apo PZAP-së, atëherë certifikimi i zgjedhjeve mund të ndodhë brenda kësaj periudhe kohore, deri në fund të javës. Jo domosdoshmërisht Gjykata Supreme mund të presë deri në afatin e paraparë ligjor dhe kjo mund të shpie deri te një certifikim edhe më i hershëm i zgjedhjeve”, deklaron ai.
Ai thekson se, pas certifikimit, nuk ekziston ndonjë pengesë ligjore që seanca konstituive e Kuvendit të thirret menjëherë, pavarësisht se Kushtetuta përcakton afatin maksimal prej 30 ditësh.
Sipas tij, krahas konstituimit të legjislaturës së njëmbëdhjetë, nuk ka ndonjë normë që thekson se deputetët duhet të zgjedhin presidentin para formimit të qeverisë.
“Afatet janë orientuese dhe jo detyrimisht duhet të presim 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për konstituimin e Kuvendit. Kjo duhet të ndodhë menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve, menjëherë u.d. e presidentes mund të marrë veprime dhe të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit. Pastaj janë procedurat në bazë të Rregullores së Kuvendit, ku pesë ditë para mbajtjes së seancës konstituive kryetarja e Kuvendit të legjislaturës paraprake duhet t’i mbledhë përfaqësuesit e partive parlamentare që të përcaktojnë agjendën e seancës konstituive të Kuvendit. Sipas nenit 8 të Rregullores së Kuvendit, ky proces është procedural dhe nuk mund të tjetërsohet nga ana e kryetarit të Kuvendit të kaluar. Seanca konstituive në rend të ditës e ka formimin e komisionit të përhershëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Kjo duhet të ndodhë brenda tridhjetë ditëve afat kohor sipas legjislacionit në fuqi”, shton hulumtuesi i IKD-së.
Certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve po e pret edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ai tha të mërkurën se bisedimet politike për formimin e institucioneve do të nisin pas certifikimit të rezultateve.
“Së pari duhet ta presim certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe trajtimin e ankesave, e pastaj pa humbur kohë do t’i kemi komunikimet dhe diskutimet e nevojshme”, deklaroi Kurti.
Mirëpo, sipas Marmullakajt, LVV-ja si fituese e zgjedhjeve do të duhej tashmë të kishte nisur konsultimet për krijimin e institucioneve të reja.
“Do të duhej të ndodhnin deri më tani dhe duhet të ndodhin edhe gjatë kësaj jave deri në certifikimin final të zgjedhjeve. Po shpresoj se këto kanë ndodhur prapa dyerve të mbyllura apo do të ndodhin gjatë kësaj jave”, potencon ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor.
Nga këto zgjedhje partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, me 47.13%, që ka fituar 53 ulëse. Partia Demokratike e Kosovës me 19.44% ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69% ka fituar 18 ulëse dhe Aleanca me 6.74% ka fituar shtatë ulëse.
Vendimi i Gjykatës Supreme pritet të jetë hapi i fundit juridik para certifikimit të rezultateve zgjedhore.
Krahas konstituimit dhe formimit të qeverisë, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë duhet edhe ta zgjedhin presidentin e ri, për të cilin ka afat 60 ditë prej momentit të konstituimit të Kuvendit.
Zgjedhjet e 7 qershorit janë mbajtur pikërisht për shkak të dështimit të partive parlamentare për ta zgjedhur presidentin e vendit, pas përfundimit të mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani. /KP/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.