Shqiptarët me dy deputetë në Serbi, Kamberi: Të marrë fund albanofobia në Beograd
Koalicioni Shqiptar në Serbi, drejtuar nga Shaip Kamberi do jetë i përfaqësuar nga dy deputetë në parlamentin serb. Në Kuvendin e Serbisë do jetë Kamberi dhe deputeti Visar Mehmeti.
Drejtuesi i koalicionit Kamberi në një intervistë për Klan News akuzoi Vuçiçin se me politikat e tij kishte krijuar urrejtje ndaj shqiptarëve, duke rrënjosur albanofobi në shtetin serb.
Kamberi deklaroi se uron që albanofobia të marrë fund njëherë e mirë, me qeverinë e re, pas fitores së Listës të Studentëve.
“Ne do të jemi me dy mandate në Kuvendin e Serbisë. Urojmë që qasja e Beogradit të ndryshojë ndaj shqiptarëve. Urojmë të mbarojë albanofobia në Beograd. Aleksandar Vuçiç ka qenë një mik i Rusisë dhe i Kinës. Shpresojmë që të respektohen pakicat etnike, ashtu siç duhet.
Uroj që Beogradi të shkëputet nga politikat e viteve 80-90’. Shpresojmë që mos ndryshojnë vetëm emrat në qeverinë e re të Serbisë, por të ketë ndryshim substancial”, tha Kamberi.
Shaip Kamberi theksoi se uron që ajo që ka shkruar Lista Studentore në memorandumin për Kosovën, të mos realizohet në praktikë. Ai shtoi se partitë shqiptarë nuk negociojnë asgjë, që bie ndesh me interesat e komunitetit shqiptar që jeton në Luginën e Preshevës.
“Në krye të qeverisë së Serbisë janë elita e shtetit serb. Qasja ndaj Kosovës nuk duhet të jetë ajo e një mendësie mesjetare, siç e ka pasur qeveria e Vuçiçit. Ajo që është shkruar në memorandumin e tyre për Kosovën urojmë që mos ndiqet, pasi kanë shfaqur pikëpamje nacionaliste. Për ne ka rëndësi që të respektohen të drejtat e pakicave etnike.
Ne nuk negociojmë asgjë me asnjë forcë politike, që bie ndesh me të drejtat e shqiptarëve në terren. Ne nuk duam që të jemi thjesht si numër të shumtë në parlament, por të kemi rol thelbësor”, deklaroi Kamberi.
Zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në Serbi prodhuan një rezultat surprizë. Aleksandar Vuçiç ra nga pushteti pas 14 vitesh, pas fitores së Listës Studentore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.