Çfarë jete kjo e avokatit!

Përtej personalitetit të avokatit Saimir Visha, që ata që e njohin më mirë mund të flasin për të, lajmi për ndarjen e tij nga jeta më bëri të reflektoj për jetën e një avokati si Saimiri.
Një jetë me stres, me hallet e të tjerëve mbi shpinë, që i adopton sikur të ishin hallet e tua personale, me orare të zgjatura, me dilema pa fund, me institucione që nuk dëgjojnë, me mendje të mbyllura që nuk duan të kuptojnë, me beteja që nuk mbarojnë, që mbivendosen njëra mbi tjetrën si gurë në një thes mbi shpinë, që e mban lidhur në fyt. Me klientë që nuk kanë durim, shpesh me të drejtë edhe ata të shkretët. Një jetë ku harron të jetosh. Harron familjen, fëmijët, prindërit, miqtë. Harron veten. Harron që nuk je prej hekuri. Çdo ditë të duhet të mprehësh shqisat për të nuhatur anët më të errëta të natyrës njerëzore, aq sa të duket që bota shumë e poshtër. Dhe nuk ka faj avokati i shkretë. Shpesh nuk merr asnjë falënderim. Klientë që të negociojnë çmimet, që të kërkojnë të punosh falas, që shpesh të ngarkojnë edhe përgjegjësi që nuk i ke, që të fajësojnë pa dashje dhe shpesh nuk të falenderojnë me dashje edhe kur ke gjithë meritat që ke sjellë ndryshim në jetën e dikujt. Të bie të bëhesh psikolog, prift, shok, engjëll, djall, armik, strateg, ilaç, busull, mbrojtës e ku di unë se çfarë tjetër… Gjithçka, përveçse njeri me jetën tënde. Truri nuk të pushon kurrë. As natën, as në fundjavë, as në pushime. Gjithmonë një dosje, një afat, një hall, një padrejtësi. Fitoret të gëzojnë vetëm dy minuta, ndërsa humbjet të bëhen barrë të vështira për t’u shlyer. Gjithmonë duke jetuar me një nevojë konstante migjeniane për t’ia ngjesh malit në zemër atë argumentin në formë grushti që do doje ta kishe.
Dhe befas… një ditë bëhesh një fotografi mortore. Dosjet mbeten, gjyqet vazhdojnë, klientët gjejnë avokat tjetër. Çfarë jete kjo e avokatit! Një jetë e kaluar duke mbrojtur të tjerët, ndërsa harron të jetosh. Në fund vdekja nuk është shumë ndryshe nga të harruarit e jetës. E vetmja diferencë është që me vdekjen truri i avokatit bie në paqe.
Lamtumirë, Saimir! Ma merr mendja që ti, si shumë të tjerë që janë ende këtu, i ke kaluar të gjitha ato më sipër. Tani je në paqe! U prehtë në paqe shpirti yt!
Shkrime nga Dorian Matlia — të gjitha shkrimet e autorit në Opinion →



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.