Çfarë prodhuan zgjedhjet e treta parlamentare në Bullgari?
Më 14 nëntor, Bullgaria mbajti zgjedhjet parlamentare dhe duket se fituese në parlamentin me 240 vende ka dalë një parti kundër-korrupsionit.
Në Bullgari, njërin ndër vendet më të varfra të Bashkimit Evropian, çështja e ryshfetit ka qenë prej kohësh temë mbizotëruese e politikës.
Për shumë në Bullgari, korrupsioni i përhapur në shkallë të gjerë është fajtor për standardin e ulët të jetesës.
Bullgaria ka rreth shtatë milionë banorë. Bruto Produkti i Brendshëm për kokë banori është vetëm 55 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian.
Pikërisht zhgënjimi që kanë qytetarët ka bërë që të krijohen një valë e re partish politike, të cilat kanë sjellë fytyra të reja politike dhe kanë ngjallur shpresat për ndryshim.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e 14 nëntorit ishte vetëm 40 për qind, një shenjë se votuesit po ndiejnë lodhje. Por, ata gjithashtu janë të etur për të parë formimin e një qeverie të re e cila do të merrej me situatën e tmerrshme të pandemisë së COVID-19, rritjen e çmimeve të energjisë dhe korrupsionin e përhapur.
Ende nuk dihet nëse partia “Ne vazhdojmë ndryshimin” do të arrijë të ketë sukses në përpjekjen në të cilën kanë dështuar shumë parti tjera, por deri më tani duket se ka shumë mundësi që do t’ia dalë.
Nga Harvardi në zyrat e Qeverisë
Themeluesit e partisë “Ne vazhdojmë ndryshimin” janë Kiril Petkov, 41 vjeç dhe Asen Vasilev, 44 vjeç, të dy të diplomuar në Universitetin e Harvardit.
Petkov, hoqi dorë nga shtetësia kanadeze për të kandiduar për pozitë zyrtare në Bullgari. Ai ka investuar në biznese të reja dhe ka drejtuar një firmë të suksesshme.
Vasilev është gjithashtu një sipërmarrës dhe konsulent biznesi.
Më parë gjatë këtij viti, ata shërbyen si ministra të përkohshëm të Ekonomisë dhe Financave, mirëpo pa bazë partiake.
Ndryshe nga zgjedhjet e fundit, partia “Ne vazhdojmë ndryshimin” (PP) kësaj radhe mund të ketë mjaft aleatë për të krijuar një koalicion.
Popullariteti i tyre u rrit pasi ata bënë përpjekje për të zbuluar keqpërdorimet në institucionet shtetërore derisa ato udhëhiqeshin nga Borisov.
Në maj, Petkov zbuloi se Banka Bullgare e Zhvillimit, e drejtuar nga shteti, e krijuar për të mbështetur bizneset e vogla, kishte dhënë 559.43 milionë dollarë kredi për vetëm tetë kompani.
Vasilev gjatë shërbimit të tij si ministër kontribuoi në rritjen e nivelit të mbledhjes së taksave, duke rritur kontrollet mbi bizneset e mëdha që operojnë me fondet publike dhe të BE-së.
Që të dy ofruan një pasqyrë të politikanëve që zbatojnë politika praktike, të cilat ndikuan te votuesit, tha Alexey Pamporov, një studiues i politikës në Akademinë Bullgare të Shkencave.
“Të gjithë ne kemi qeshur kur ata deklaruan se do të bëjnë politikë ‘të majtë’ me instrumente të ‘djathta’, por ata pikërisht këtë po e propozojnë. Sa i takon ekonomisë, energjisë, biznesit, turizmit ata janë shumë të orientuar drejt politikave të djathta, por në aspektin e politikave sociale, arsimit, kujdesit shëndetësor, ata anojnë nga e majta”, i tha Pamporov Shërbimit bullgar të Radios Evropa e Lirë (REL).
Sipas një sondazhi nga Gallup International, 35 për qind e bullgarëve, të cilët në korrik kishin votuar për partinë tjetër anti-korrupsion, “Ka një popull të tillë”, në zgjedhjet e 14 nëntorit kanë votuar PP-në.
Dhe në mesin e votuesve të PP-së, 79 për qind favorizuan Rumen Radev, presidentin aktual, i cili po synon një mandat të dytë pesëvjeçar në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 14 nëntor.
Radev, një kritik i ashpër i Borisovit, fitoi 49.2 për qind të votave dhe pritet të fitojë një mandat të dytë pesëvjeçar, në postin, i cili në Bullgari është kryesisht ceremonial.
Balotazhi pritet të mbahet më 21 nëntor.
Çfarë ndodhi me partinë “Ka një popull të tillë”?
Partia “Ka një popull të tillë” (ITN) u krijua nga Stanislav “Slavi” Trifonov, një prezantues i njohur televiziv dhe këngëtar, pak para se skandali i korrupsionit më 2020 të ndizte sërish protesta masive disajavore ndaj Qeverisë së Borisovit.
Analistët thanë se hyrja e Trifonovit në skenën kombëtare të Bullgarisë përfaqëson vazhdimin e një përpjekjeje dekadash për të krijuar një parti të qëndrueshme kundër establishmentit në Bullgari.
Në Evropën Qendrore dhe Lindore nuk është zhvillim i panjohur kur partitë e reja përgatisin platforma kundër korrupsionit ose prezantojnë figura të famshme televizive për të arritur suksesin zgjedhor.
Kjo praktikë e kishte ndihmuar edhe ish-carin e Bullgarisë, Simeon II, të fitonte zgjedhjet e vitit më 2001 dhe vetë Borisovin në vitin 2009.
Mesazhi kundër korrupsionit ishte gjithashtu pika qendrore për dy partitë e reja që siguruan vende në parlament në fillim të këtij viti: Bullgaria Demokratike (DB) dhe ajo e Maya Manolovas “Ngrihu! Banditët jashtë”, të cilat fituan afërsisht 10 për qind, përkatësisht 5 për qind të votave.
Në zgjedhjet e muajit korrik, ITN e kaloi me shumë vështirësi GERB-in, por nuk arriti të formonte një qeveri. Si rezultat, mbështetja ndaj kësaj partie ka rënë.
Partia e Trifonovit kishte udhëhequr me rezultatet e votimit të korrikut me 24 për qind, por rezultatet e pjesshme nga votimi i 14 nëntorit tregojnë se tani ajo ka vetëm 9.8 për qind.
Mund të jetë me rezultat më të ulët, por jo edhe peshën e përcaktimit të qeverisë. ITN ka të ngjarë të jetë një partner kyç për kandidatët kryesorë të “Ne vazhdojmë ndryshimin” në çdo bisedë koalicioni, së bashku me socialistët, me 10.3 përqind të votave dhe DB-në — një koalicion i tri partive të majta — që ka fituar 6 për qind të votave.
“Formimi i një qeverie do të jetë më i komplikuar sepse nevojitet bashkimi i të paktën katër partive për një shumicë“, i tha Reuters, Dobromir Zhivkov, një analist politik.
ISMV, një tjetër parti e re kundër korrupsionit, duket se ka siguruar më pak se 4 për qind, që është pragu i nevojshëm për të fituar ulëse në parlament.
Në anën tjetër të spektrit politik, Rilindja, një parti hapur pro-ruse që ka bërë thirrje për daljen e Bullgarisë nga Aleanca Veri-Atlantike dhe BE-ja, duket se e ka kaluar pragun e 4 përqindëshit.
Partia e qendrës së djathtë, GERB e Borisovit pritet të ketë mbi 22 për qind të votave, që i siguron vendin e dytë, por duke pasur parasysh izolimin e saj politik duket se do të përjashtohet nga çdo bisedë koalicioni.
Petkov premtoi më 14 nëntor se do të jetë i hapur për dialog dhe kompromis në bisedimet e koalicionit, por tha se partia e tij do t’iu përmbahet premtimeve për të përmirësuar sistemin gjyqësor dhe për të luftuar korrupsionin.
“Bullgaria po shkon në një rrugë të re”, tha Petkov, i cili shpreson të bëhet kryeministër dhe ta emërojë bashkëthemeluesin e partisë, Vasilev, si ministër të Financave./ REL