Cili do të jetë ekipi i Ursula von der Leyen? – Gara filloi
Presidentja e ardhshme e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen fillon sot (27.08) bisedimet me kandidatët e rekomanduar që pritet të marrin postet e komisionerëve të Bashkimit Europian.
Zyrtarisht presidentja e ardhshme e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen fillon këtë të martë me bisedimet për përzgjedhjen e kandidatëve që duan të marrin postet e komisionerëve të BE. Britania e Madhe ka hequr dorë nga dërgimi i kanditatëve, pasi më 31 tetor dëshiron të dalë nga BE. Von der Leyen dëshiron të verifikojë më parë, nëse janë të përshtatshëm emrat e dërguar nga shtetet anëtare për poste dhe të bisedojë për detyrat e mundshme. Komisionerët qëndrojnë për 5 vite në post, deri në zgjedhjet e reja europiane. Komisioni Europian i ngjason një qeverie me disa fusha të ndryshme, i cili propozon ligje të BE dhe vëzhgon respektimin e tyre.
Presidentja e re e KE, Ursula von der Leyen parashikon të zerë të paktën 50% të posteve të komisionerëve me kandidate femra, por deri tani ka 13 emra burrash të propozuar dhe 10 femra. Nga shtatori personat e emëruar do duhet të paraqiten para Parlamentit Europian, që në fund duhet ta miratojë Komisionin e ri Europian. Emrat e dërguar nga qeveritë e vendeve anëtare normalisht mbahen të fshehtë deri në emërimin e tyre përfundimtar. Në media janë përmendur megjithatë, emra si Frans Timmermans, ish-zëvendëspresident i Komisionit Europian, që përflitet se do të drejtojë sektorin e klimës, një fushë e rëndësishme për von der Leyen, apo emri i ministrit të Jashtëm belg, Didier Reynders, që është propozuar nga qeveria belge. Edhe kandidatja liberale, Margaret Vestager përflitet për poste të larta në Komisionin e ri Europian.