CNN: Gara presidenciale 2028, JD Vance përballë një vendimi të vështirë për të ardhmen politike
– Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance po shqyrton mundësinë që të mos kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, raportoi CNN.
Vance nuk ka marrë ende një vendim dhe nuk ka përcaktuar një afat kohor për të ardhmen e tij politike.
Deri tani, ai konsiderohej si një nga kandidatët kryesorë të mundshëm, për të marrë nominimin republikan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Sipas këshilltarëve dhe personave të afërt të tij, të intervistuar nga CNN, zëvendëspresidenti po përpiqet të peshojë ambiciet e tij politike përballë përçarjeve brenda koalicionit MAGA, që mbështeti rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, si dhe përgjegjësive familjare.
Vance ka shprehur angazhim për rindërtimin e kësaj lëvizjeje politike, por po shqyrton nëse duhet të jetë ai personi që do ta drejtojë atë në zgjedhjet e vitit 2028.
Lindja e fëmijës së tij të katërt, gjatë verës ka nxitur spekulime brenda Shtëpisë së Bardhë se ai mund të shtyjë ambiciet presidenciale.
Një person i afërt me zëvendëspresidentin i tha CNN-it, se nuk do të habitej nga asnjë vendim që ai mund të merrte.
“Është vetëm 42 vjeç. Është mjaft i ri për t’u rikthyer, nëse kjo situatë e bën të pamundur suksesin. Ndoshta thjesht nuk është momenti i tij”, u shpreh burimi.
Lufta me Iranin, një pengesë për ambiciet presidenciale
Sipas CNN-it, një nga faktorët kryesorë që po ndikon në llogaritjet politike të Vance është lufta me Iranin.
Aleatët e tij e konsiderojnë konfliktin, një nga pengesat më të mëdha për perspektivën e republikanëve në zgjedhjet e vitit 2028.
Ata besojnë se mundësitë e partisë, do të varen në një masë të madhe nga aftësia e Trump, për t’i dhënë fund konfliktit sa më shpejt, pa dëmtuar më tej besimin e amerikanëve te administrata e tij.
“Pyetja nuk është nëse JD mund t’ia dalë. Nëse lufta me Iranin vazhdon, a mund t’ia dalë ndonjë republikan?”, tha një aleat i Vance për CNN.
I njëjti burim shtoi se, nëse lufta nuk përfundon, asnjë kandidat republikan nuk do të ketë mundësi të fitojë zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Një ditë pas zgjedhjeve të mesmandatit, më 3 nëntor, Vance publikoi një mesazh të gjatë në rrjetin social X, ku fajësoi luftën me Iranin për humbjet e republikanëve.
Disa nga mbështetësit e tij e interpretuan këtë mesazh, si një sinjal për drejtimin që mund të marrë një fushatë e ardhshme presidenciale.
Megjithatë, sipas burimeve të CNN, publikimi shkaktoi pakënaqësi te Trump.
Dy persona të njohur me diskutimet thanë se presidenti ishte i zemëruar që Vance nuk kishte mbështetur publikisht, vendimin për ndërhyrjen në Iran dhe nuk kishte mbrojtur arsyet e saj.
Nga ana tjetër, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha CNN-it se administrata, ishte në dijeni të publikimit paraprakisht dhe se Trump ishte informuar për të, pa shprehur kundërshtime.
Trump i kërkoi dje Vance të tërhiqej nga drejtimi i negociatave me Iranin dhe të përqendronte vëmendjen te lufta kundër korrupsionit dhe krimit.
Trump nuk ka premtuar mbështetjen për kandidaturën e Vance
Një tjetër element i pasigurisë është qëndrimi i Trump për zgjedhjet e ardhshme. Presidenti nuk ka deklaruar nëse do ta mbështesë Vance nëse ai vendos të kandidojë.
Sipas CNN, Trump u ka thënë privatisht bashkëpunëtorëve, se dëshiron të presë dhe të shohë se si do të paraqiten kandidatët përpara se të mbështesë ndonjërin prej tyre, në zgjedhjet paraprake republikane.
Ndërkohë, disa figura të tjera të Partisë Republikane kanë filluar të pozicionohen për garën e vitit 2028.
Mes tyre përmenden guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, senatori Ted Cruz dhe guvernatori i Xhorxhias, Brian Kemp.
Megjithatë, aleatët e Vance nuk shfaqin shqetësim të madh për konkurrencën. Ata besojnë se, nëse ai vendos të kandidojë, do të ketë mundësi të fitojë mbështetje të konsiderueshme brenda partisë.
Përpjekjet për të rindërtuar koalicionin MAGA
Për momentin, Vance po përqendrohet në përpjekjet për të rikthyer mbështetjen për koalicionin MAGA, i cili pësoi goditje në zgjedhjet e mesmandatit.
Sipas CNN, republikanët kanë humbur mbështetje te disa kategori votuesish, që kishin kontribuar në fitoren e Trump në vitin 2024, përfshirë të rinjtë, burrat, votuesit latino-amerikanë dhe amerikanët e bardhë pa diplomë universitare.
Aleatët e Vance besojnë se dy vitet e mbetura deri në zgjedhjet presidenciale, mund të mjaftojnë për të ndryshuar klimën politike dhe për të rikthyer mbështetjen për republikanët.
Megjithatë, sfidat janë të konsiderueshme. Organizata “Turning Point USA”, e cila ka mbështetur Vance, nuk arriti rezultatet e pritshme në disa gara zgjedhore në Arizona, Nju-Hampshire dhe Nevada.
Gjithashtu, në Ohajo, kandidatët e mbështetur nga persona pranë Vance, nuk arritën të siguronin fitoren në garën për guvernator.
Financimi dhe mbështetja për një fushatë të mundshme
Një tjetër çështje që po shqyrtohet është krijimi i strukturës financiare dhe organizative për një fushatë presidenciale.
Aleatët e Vance besojnë se ai mund të sigurojë mbështetje të konsiderueshme financiare, duke përmendur marrëdhëniet e tij me miliarderin Elon Musk dhe bashkëthemeluesin e “PayPal”, Peter Thiel.
Vance ka qenë gjithashtu përgjegjës për financat e Komitetit Kombëtar Republikan, rol që i ka mundësuar të krijojë lidhje me donatorët kryesorë të partisë.
Një grup donatorësh të afërt me të, i njohur si “Rockbridge Network”, u mblodh këtë javë në Hjuston për të diskutuar situatën, ndërsa pret vendimin e zëvendëspresidentit.
Sipas CNN, një nga personat që ka komentuar situatën është edhe studiuesi Rich Baris, i lidhur me lëvizjen MAGA.
Ai vlerësoi se sfida e Vance është të rikthejë besimin e votuesve, që janë larguar nga republikanët dhe të rindërtojë një koalicion të ri politik.
Pavarësisht pasigurive, vendimi i Vance për kandidimin në vitin 2028 mbetet i hapur.
Sipas raportimit të CNN, ai po përballet me një zgjedhje mes ambicieve presidenciale, situatës politike të krijuar pas humbjeve republikane dhe mundësisë për të pritur një moment më të favorshëm. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.