Mes ndotjes së naftës dhe braktisjes së fshatit
Banorët e Klosit dhe Hekalit thonë se mbetjet hidrokarbure kanë ndotur prej vitesh rrjedhat ujore ku dikur pinin ujë bagëtitë. AKBN pranon se nuk ka kryer kontrolle specifike për administrimin e ujërave teknologjike dhe mbetjeve hidrokarbure nga kompania që operon në zonë.
Në fshatrat Klos dhe Hekal të Mallakastrës, pak kilometra larg qytetit antik të Bylisit, peizazhi rural që tërheq vizitorët fsheh një shqetësim të vazhdueshëm për ata që jetojnë aty. Përrenjtë që dikur përdoreshin për të ujitur tokat dhe për të furnizuar bagëtinë me ujë, sipas banorëve, janë kthyer në rrjedha të dyshuara të ndotura nga mbetjet e aktivitetit të nxjerrjes së naftës.
Në brigjet e Marushit dhe Povëlit, banorët thonë se gjurmët e hidrokarbureve janë bërë pjesë e një realiteti me të cilin përballen prej vitesh. Ata pretendojnë se uji nuk është më i përshtatshëm as për kafshët dhe as për përdorime të tjera të përditshme.
Shqetësimi u bë edhe më i dukshëm gjatë verës së këtij viti. Me pakësimin e prurjeve, sipas banorëve, mbetjet e dyshuara të naftës u dalluan më lehtë, ndërsa mungesa e burimeve alternative të ujit e vështirësoi mbajtjen e bagëtive.
“Aty nuk bëhet më asgjë, delet shkojnë deri aty dhe kthehen mbrapsht. Po u japim ujë nga shtëpia, nuk pinë më aty”, tregon një prej banorëve, duke përshkruar gjendjen e përroit që dikur përdorej për të shuar etjen e kafshëve.
Për familjet e këtyre fshatrave, ku blegtoria dhe kultivimi i ullinjve përbëjnë burime të rëndësishme të ardhurash, ndotja e ujit nuk është thjesht një problem mjedisor. Ajo prek drejtpërdrejt mundësinë për të siguruar jetesën.
“Atje është bërë si serrë, në anë të përroit është bërë fiks si serrë. I ngeli këmba deles atje”, rrëfen një tjetër banor, duke iu referuar mbetjeve që, sipas tij, janë grumbulluar pranë rrjedhës së ujit.
Për disa prej tyre, pasojat mund të shkojnë përtej humbjeve në blegtori. Nëse situata nuk ndryshon, thonë banorët, qëndrimi në fshat mund të bëhet gjithnjë e më i vështirë.
“Këtu vetëm ato bagëti kemi, po i shohim të treten ditë pas dite. Po nuk u bë gjë, do t’i vëmë kyçin shtëpisë pastaj. Çfarë të bëjmë?”, shprehet njëri prej tyre.
Banorët thonë se e kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin pranë Bashkisë Mallakastër dhe strukturave të policisë, por pretendojnë se ndërhyrjet kanë qenë të përkohshme dhe nuk e kanë zgjidhur problemin.
“Kemi bërë ankesa, kam vajtur edhe në polici, por asnjëri s’merr asnjë masë. Mund të rregullohet uji vetëm dy ditë dhe më pas sërish e njëjta problematikë vazhdon, uji sërish gjithë naftë. Dallohet me sy të lirë”, tregon një tjetër.
Sipas dëshmive të tyre, pas ankesave të përsëritura, përfaqësues të Bashkisë Mallakastër kanë shkuar së fundmi në zonë dhe kanë marrë mostra uji për analiza. Megjithatë, banorët thonë se nuk janë informuar ende për rezultatet.
“Erdhi një djalë nga bashkia dhe mori provëzat, mori një shishe ujë për t’i bërë analizat. Ka disa ditë, por për përgjigjet nuk kemi gjë”, thotë një prej tyre.
Shteg.org i është drejtuar Bashkisë Mallakastër me një kërkesë për informacion mbi rezultatet e analizave të mostrave të ujit. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, institucioni nuk kishte vënë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar.
AKBN: Nuk kemi kryer kontrolle për mbetjet hidrokarbure

Shqetësimet e banorëve lidhen me një zonë ku aktiviteti i nxjerrjes së naftës ka një histori të gjatë. Për të kuptuar më shumë mbi aktivitetin hidrokarbur dhe administrimin e mbetjeve në Klos, Hekal dhe Gorishtë, Shteg.org iu drejtua Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) me një kërkesë për informacion.
Në përgjigjen e saj, AKBN konfirmon se gjatë periudhës 2020–2026 në këto zona kanë operuar dy kompani: Anio Oil&Gas dhe Albpetrol sh.a.
Sipas institucionit, Anio Oil&Gas ushtron aktivitet në vendburimin Ballsh–Hekal, në bazë të një marrëveshjeje licence me AKBN-në dhe një marrëveshjeje hidrokarbure me Albpetrolin.
Agjencia konfirmon se disponon të dhëna mbi vendndodhjen dhe administrimin e dekantuesve që përdor Anio Oil&Gas për ndarjen e ujit nga nafta e prodhuar në vendburim. Por, pavarësisht njohjes së këtyre instalimeve, AKBN deklaron se nuk disponon informacion dhe skema funksionale për instalimet e trajtimit të mbetjeve hidrokarbure në vendburim.
Sipas të dhënave të raportuara periodikisht nga kompania, e gjithë sasia e ujit që prodhohet bashkë me naftën, pas kalimit në linjën e trajtimit, riinjektohet përmes pompave në shtresën naftëmbajtëse.
Por ky informacion vjen nga raportimet e vetë kompanisë. Në përgjigjen zyrtare, AKBN pranon se nuk ka kryer kontrolle specifike për mënyrën se si Anio Oil&Gas administron ujërat teknologjike dhe mbetjet hidrokarbure.
“AKBN nuk ka kryer kontrolle me problematika që lidhen direkt me administrimin e ujërave teknologjike dhe mbetjeve hidrokarbure nga kompania Anio Oil&Gas”, thuhet në përgjigjen e institucionit.
Po ashtu, AKBN deklaron se nuk disponon informacion mbi mospërmbushjen e detyrimeve kontraktore që lidhen me administrimin e instalimeve, parandalimin e rrjedhjeve dhe rehabilitimin e vendburimeve.
Por shqetësimet që ngrenë banorët për ndotjen e dyshuar të përrenjve shtrihen përtej kufijve të fshatrave të tyre, duke ngritur pikëpyetje edhe për ndikimet e mundshme në lumin e Vjosës.
Olsi Nika, biolog dhe drejtues i organizatës EcoAlbania, thekson rëndësinë e vlerësimit të lidhjeve hidrologjike mes përrenjve të zonës dhe lumit, për të përcaktuar nëse ndotësit e mundshëm mund të përhapen më tej.
Nëse prania e ndotësve hidrokarburë do të konfirmohej dhe do të provohej se ata transportohen drejt Vjosës, pasojat mund të shtriheshin edhe në habitatet ujore të lumit, përfshirë ekosistemet e mbrojtura dhe speciet e rralla që strehohen në to.
Për momentin, banorët e Klosit dhe Hekalit presin përgjigjet e analizave të ujit dhe një reagim më konkret nga institucionet. Ndërkohë, përrenjtë vazhdojnë të jenë pjesë e jetës së tyre të përditshme, por jo më burimi i sigurt i ujit që kujtojnë se kanë pasur dikur.
Shënim: Ky publikim, është mundësuar me mbështetjen financiare të projektit GreenAL, i zbatuar nga Co-PLAN, COSV dhe VIS Albania. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida).



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.